Aksidente nga lulja e blirit në Shkodër/ Rrugët mbulohen me nektarin e luleve, rrëzohen dhe lëndohen dhjetëra persona

06/06/2022 15:08

Pemët e blirit janë mbase pemët me aromën më të këndshme ndërsa lulet dhe gjethet e tyre kanë gjetur përdorim në mjekësinë popullore që në lashtësi.

Mbase kjo është dhe një arsye se pse pedonalja “28 Nentori” në qendër të qytetit të Shkodrës është  mbushur plot me to, por pak kush mund ta mendonte se këto pemë të bukura dhe me arome të këndshme mund të bëhen edhe shkak aksidentesh.

Me shume se 10 qytetarë me biçikleta, mëngjesin e së hënës u rrëzuan për shkak të aksidenteve të çuditshme.  Dy prej tyre përfunduan edhe në spital për shkak të dëmtimeve.

Lulet e blirit, gjatë natës, për shkak edhe të erës kanë rënë në pedonale dhe mëngjesin  së hënës, të favorizuara edhe nga lagështira kanë krijuar një shtresë rrëshqitëse po aq sa akulli gjatë stinës së dimrit.

Pas sinjalizimeve për aksidentet, policia  bëri bllokimin e rrugës me shiritë, ndoshta për herë të parë, shkodraneve iu ndalua lëvizja me biçikleta.

Në vazhdim, bashkia me specialistet e gjelbërimit, duhet të gjejnë edhe një zgjidhje se si të shmangin aksidentet e qytetareve të shkaktuara nga vete lulet.

 

Top Channel