Zjarri në ishullin e Sazanit vijon ende të djegë pyllin me pisha, duke rrezikuar shpërthimin e municioneve në zonë.

Fikja është e pamundur, edhe pse Forcat e Armatosura ndërhynë për të lokalizuar vatrën. Pas shumë orëve, kërkohet ndërhyrja nga ajri.

Sipas informacioneve, zjarri ka djegur bimësinë e anës lindore të ishullit përfshirë shkurre dhe dhjetëra pisha.

Për shkak të terrenit të thyer shuarja e flakëve është e vështirë, ndërkohë që ushtarët dhe punonjësit po bëjnë kujdes për shkak të municioneve që ka kjo zonë.

Gjatë natës FA do të jenë në gatishmëri ndërkohë që në orët e para të ditës së nesërme do punohet për shuarjen e kësaj vatre zjarri.

Ministria e Mbrojtjes thotë se janë izoluar disa nga vatrat më të rrezikshme.

”Në këto momente duket se janë izoluar disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit në Sazan. Trupat e Forcave të Armatosura po punojnë me përkushtim në kushtet kur ndërhyrja në vatrat e mbetura është e vështirë për shkak të relievit dhe të natës.
Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave te Armatosura meriton mirënjohje.
I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës.
Me të gjithë partnerët tanë dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar marrëdhënie për të aktivizuar mbështetjen me mjete ajrore shtesë, gjatë stinës së verës, pa humbur kohë nëse do të çmohet e nevojshme nga ekspertët.
Sigurisht prioritet ka mbrojtja e jetës së banorëve dhe mëpas e florës e faunës si edhe trashëgimia jonë natyrore e historike.
Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jeteë shumë e nxehtë . Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashke situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Presidenti Ilir Meta reagoi lidhur me situatën e përhapjes së vatrave të zjarreve në vend. Ai ka kërkuar angazhimin e plotë të strukturave vendore dhe qendrore për lokalizimin dhe fikjen e vatrave në kohë sa më të shkurtër, duke shmangur tragjedinë mjedisore të një viti më parë.

“Po ndjek me vëmendje situatën e përhapjes së zjarreve në zonën e Vlorës, veçanërisht në Ishullin e Sazanit.
Me qëllim parandalimin e përhapjes së vatrave të zjarrit, që të mos përsëritet situata si në verën e kaluar, kërkoj angazhimin e plotë të strukturave vendore dhe qendrore për lokalizimin dhe fikjen e tyre në kohë sa më të shkurtër.

Duke vlerësuar parashikimet e Institutit të Gjeoshkencës për një verë të nxehtë, me temperatura shumë të larta, bëj thirrje për vënien në gatishmëri të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkive në të gjithë Shqipërinë, për mbrojtjen civile, sidomos për angazhimin e flotës ajrore, për ndërhyrjen nga ajri për fikjen e vatrave të zjarrit në zona ku është e pamundur ndërhyrja në rrugë tokësore, siç është rasti i Ishullit të Sazanit.

Njëherazi i nxis strukturat e pushtetit vendor për shtimin e vrojtuesve për të informuar në kohë dhe mbajtjen në gatishmëri të strukturave operacionale, për ndërhyrje të menjëhershme në përballimin e situatave të zjarrit gjatë muajve të verës.
I ftoj të gjithë qytetarët për të kontribuar me informacione të shpejta në të gjithë territorin e vendit për çdo rast zjarri të konstatuar, në mënyrë që strukturat përgjegjëse të angazhohen në kohën e duhur për izolimin dhe shuarjen e tyre”, shkruan Meta.

Kujtojmë se vendi ynë një vit më parë u përfshi nga vatra nga veriu në jug, duke shkaktuar djegien e qindra hektarëve pyje.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel