Video ekskluzive/ Shtëpia e barit në Koplik të Shkodrës, dalin pamjet nga ambienti ku kultivohej kanabisi

05/06/2022 10:57

Gazetarja Dorjana Bezat ka siguruar për “Top Channel” pamje nga brenda shtëpisë së barit, që u zbulua gjatë operacionit në Koplik të Shkodrës.

Siç duket edhe në video, ambienti ku kultivohej kanabisi lidhej me anë të një “tuneli” me shtëpinë, e cila në pamje të parë nuk jepte asnjë përshtypje si e tillë.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan gjashtë persona e u shpall në kërkim një tjetër si dhe u  sekuestruan rreth 22 kilogramë kanabis sativa, 455 bimë narkotike të kultivuara në ambientin me llamba, si dhe 245 bimë të tjera narkotike të kultivuara në oborrin përreth banesës.

Në lidhje me këtë ngjarje është vënë në pranga 64-vjeçari Ramiz Nikdukaj, banues në Koplik dhe dy persona të tjerë të cilët punonin në këtë ambient.

U arrestuan në flagrancë edhe shtetasit A. L, 43 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, dhe B. K., 64 vjeç, banues në Cërrik, Elbasan, pasi u kapën në flagrancë duke punuar në ambientin në të cilin kultivoheshin bimët narkotike, me anë të llambave.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi Almir Nikdukaj (djali i Ramiz Nikdukaj), dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasja E. N.(vajza e shtetasit Ramiz Nikdukaj).

Si dhe u proceduan në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre, 2 elektricistë të zonës, shtetasit P. I. dhe G. B.

Top Channel