Video Ekskluzive/ Momenti i grabitjes së bankës në Koplik, autorët me maskë Halloween-i kërcënojnë punonjësit me armë

05/06/2022 16:23

Top Channel ka siguruar videon ekskluzive të grabitjes së një banke në Koplik të ndodhur më 9 maj.

Ky është moment kur tre persona të veshur me të zeza me maskë Halloween-i në fytyrë dhe të armatosur me kallashnikovë grabitën filialin e një banke në Koplik.

Një muaj pas kësaj grabitje policia mundi të identifikojë dhe arrestojë autorët e dyshuar të kësaj ngjarje.
Në pranga ranë Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj, Malësi e Madhe.

Identifikimi i tyre erdhi pas një pune hetimore 4 javore e cila u përqëndrua kryesisht tek kamerat e sigurisë. Policia identifikoi se disa ditë para ngjarjes 22-vjeçari Bekim Guraj i veshur si punonjës policie qëndronte përpara bankës dhe studionte ambientin e bankës dhe më pas në bashkëpunim me dy kushërinjtë e tij Armir dhe Admir Shabaj me një mjet tip “Golf 3” të maskuar dhe të armatosur me 2 kallashnikovë kryen grabitjen.

Pasi morën nën kërcënimin e armës 18 milionë lekë nga banka, autorët e kanë djegur mjetin tek “Rrethrrotullimi i Bajzës” dhe janë larguar me një mjet tjetër që e grabitën në rrugë të cilin e braktisën në fshatin Shegan. Në ujërat e “Syrit të Sheganit” ata hodhën edhe armët që kryen grabitjen, të cilat u gjetën nga polumbarët e RENEA-s.

Policia e Shkodrës, forcat operacionale dhe RENEA ushtruan kontroll edhe në banesa të miqve të autorëve por edhe në banesa që dyshohet se përdoreshin prej tyre. Falë këtyre kontrolleve policia zbuloi një shtëpi bari, sekuestroi lëndë narkotike si edhe pajisje që përdoreshin për rritjen e drogës.

Policia sekuestroi 31 kilogramë kanabis dhe arrestoi në flagrancë 6 persona të tjerë, 3 janë proceduar ndërsa një është një kërkim.

Gjatë kontrollit të banesës së Ramiz Nikdukaj, 64 vjeç, në Koplik, u zbulua një shtëpi bari dhe 22 kilogramë kanabis sativa gati për shitje.

Edhe në oborrin e shtëpisë ai kishte kultivuar rreth 300 rrënjë kanabis mes hardhive të rrushit. Ai u arrestua ndërsa djali I tij u shpall në kërkim. Në pranga ranë dhe 2 punëtorët e tij nga cërriku që mirëmbanin lëndën narkotike.

Ndërsa në banesën e Albin Shabaj, i cili ka lidhje shoqërore me autorët e grabitjes së bankës, u gjetën dhe u sekuestruan 9 kilogramë kanabis. Për këtë u arrestuan në flagrancë vëllezërit Albin dhe Altin Shabaj, si dhe babai i tyre, Ermir Shabaj, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

FOTO GALERI
1/18

Top Channel