Grabitja e një banke të nivelit të dytë në Koplik të Shkodrës është zbardhur nga policia e shtetit, ku si pasojë janë vënë në pranga tre persona që dyshohen si autorë për grabitjen.
Gazetraja Dorjana Bezat ka siguruar për “Top Channel” nga kamerat e sigurisë, momentin e hyrjes në bankë të një personi të maskuar me armë në dorë, i cili siç duket ka si “peng” rojën e sigurimit.
Gjithashtu janë siguruar edhe pamjet e armës që u përdor për grabitje, e cila u gjet në ujë në vendin e quajtur “Syri i Sheganit”, degëzim i liqenit të Shkodrës. Deri tani, polumbarët kanë bërë të mundur gjetjen e njërës prej armëve të zjarrit, konkretisht një armë zjarri kallashnikov dhe po kërkohet për armën tjetër.
Ngjarja ndodhi më datë 09.05.2022, në Koplik, Malësi e Madhe, disa persona të paidentifikuar, nëpermjet kërcënimit me armë dhe dhunës, morën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare, në një bankë.
Mësohet se tre grabitësit kanë arritur që të marrin 10.000 euro, 1000 dollar dhe rreth 400.000 lekë ( te reja).
Pas një pune të mirorganizuar u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje kriminale. Si rezultat u kapën dhe u ndaluan shtetasit:
Bekim Gurraj, 22 vjeç, Armir Shabaj, 25 vjeç dhe Admir Shabaj, 19 vjeç, banues në Aliaj, Malësi e Madhe.
Ndalimi i këtyre shtetasve u bë sepse në datën 09.05.2022, rreth orës 14:10, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë hyrë në degën e BKT-së, në Koplik, Malësi e Madhe dhe kanë marrë vlera të konsiderueshme monetare.
Nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar me prova ligjore se autorët e sipërpërmendur, për kryerjen e aktivitetit kriminal, kanë përdorur 2 armë zjarri dhe një automjet tip “Golf 3”, pa targa, të cilin pas realizimit të grabitjes, e kanë braktisur dhe e kanë djegur tek vendi i quajtur “Rrethrrotullimi i Bajzës”, Koplik.
Pas djegies së mjetit, nën kërcënimin e armëve, kanë ndaluar në rrugë automjetin me drejtues shtetasin T. L., të cilit ia kanë marrë me forcë automjetin dhe më pas janë larguar më shpejtësi në drejtim të fshatit Shegan, Njësia Administrative Kastrat, ku dhe e kanë braktisur këtë mjet.
Top Channel