Naim Bajri nuk arriti ta përfundonte kafen e mëngjesit, pasi u qëllua me breshëri plumbash rreth orës 07:20, në “Merkatën e Rusit”, në lagjen “Partizani” të Shkodrës.
Ai ishte i ulur në një lokal në tregun e Rusit në momentin kur autorët janë afruar duke e qëlluar disa herë me armë zjarri. Pas të shtënave ka mbetur i plagosur edhe një qytetar tjetër.
Një makinë e djegur është gjetur në lagjen “Kiras”, e cila dyshohet se u përket autorëve të vrasjes së Naim Bajrit.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
68-vjeçari që u ekzekutua këtë mëngjes është babai i Indrit Bajrit, i njohur si “i forti” i Shkodrës, i cili u ekzekutua në vitin 2001.
Më 21 tetor të vitit 2001, Ilmir Hajdari së bashku me Xhabir Shegajn dhe Kujtim Barbullushin ekzekutuan Indrit Bajrin me automatik. Vetë Shegaj u ekzekutua me snajper në vitin 2015 për vrasjen e Indrit Bajrit.
Në atë kohë policia zbuloi se Ilmir Hajdari gjatë një debati të ashpër me Indrit Bajrin kishin kërcënuar njëri-tjetrin. Ditën e ngjarjes, Ilmiri, pasi kishte marrë me vete edhe Xhabir Shegën e Kujtim Barbullushin, po udhëtonin me një makinë “Mercedes Benz”. Tek kryqëzimi, pranë Shkollës së Muzikës, Ilmir Hajdari ka vënë re Indrit Bajrin dhe qëlloi më pas në drejtim të tij.
Po ashtu, ndaj Bajrit kanë qëlluar Xhabir Shega e Kujtim Barbullushi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Në lidhje me këtë ngjarje Ilmir Hajdari është dënuar me 16 vite burg. Ky i fundit është arrestuar në vitin 2009, por pas 4-5 vitesh është liruar duke deklaruar në sallën e gjyqit se nuk është ai autori i vrasjes së Bajrit.
Top Channel