Grabitja e tokave në Sarandë/ Toka u kalua në emër të tre personave! Më pas e përfituan dy vëllezër pronarë të hoteleve

02/06/2022 15:11

Dy vëllezër biznesmenë me anë të falsifikimit të dokumenteve duke përdorur identitetet e tre qytetarëve dhe njohjet në Bashkinë dhe Agjencinë shtetërore të kadastrës përvetësuan rreth 10 mijë metra katror truall shtetëror.

Trualli i pozicionuar buzë kanalit të çukës në Sarandë ishte projektuar për tu shndërruar në hapësirë publike por me tjetërsimin e kryer me dokumentet e falsifikuara u shndërrua në kantier ku u ndërtua një hotel.

Burime për top Channel thanë se vëllezërit Behar dhe Bedri Muçobega tashmë në kërkim bashkëpunuan me 3 qytetarë nga Saranda të identifikuar si Fredi Mërkuri, Valter Llomi e Arhondia Caraj që nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara të dilnin pronar të tokës shtetërore. Për të realizuar këtë skemë bashkëpunuan me drejtorin e Urbanistikës në bashkinë Sarandë Pandi Zhonga dhe me juristen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Rovena Alikaj.

I përfshirë në këtë skemë tjetërsimi ishte edhe noteri Aleko Anagnostini. Të gjithë zyrtarët tashmë ndodhen pas hekurave. Pasi toka shtetërore kaloi në emrin e 3 qytetarëve nga Saranda më pas vëllezërit biznesmenë kryen një blerje fiktive duke e kaluar pronën në emër të tyre e më pas e shfrytëzuan.

Një prej vëllezërve akuzohet për falsifikim të dokumenteve ndërsa tjetri për pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale.

Po ashtu në kërkim është shpallur edhe ish drejtori I agjencisë shtetërore të kadastrës Sarandë Ardian Kola i cili nuk mundi të arrestohej sepse ndodhet në Angli pas dhënies së dorëheqjes nga ky institucion në vitin 2020. Më herët Kola ka qenë dhe kryetar I partisë socialiste të këtij qyteti.

Dyshohet se gjatë kohës që ka drejtuar Agjencinë Shtetërore të kadastrës në Sarandë me anë të firmës së tij ka lejuar tjetërsimin e pronës shtetërore.

Hetimi për këtë rast u iniciua nga prokuroria e qytetit e cila pas disa muajsh hetime nxori urdhër-arrestet nga të cilat u ekzekutuan vetëm 6.

Top Channel