Flet gruaja e dhunuar në Vermosh: Autorët më goditën me levë kokës, ishin të maskuar por me dialektin tonë

02/06/2022 12:15

Pas ngjarjes së rëndë në Vermosh, ka folur për mediat gruaja e dhunuar Mri Tinaj, e cila siç duket edhe në video është dhunuar nga grabitësit. Ajo tha se grabitësit e kanë goditur disa herë me levë në kokë dhe në vende të tjera.

Tinaj tha se ata I morën shuma të mëdha parash dhe sende ari me vlerë si dhe makinën që e kishin në oborr. Ajo u shpreh se kishte vlera të mëdha parash në shtëpi pasi kishin shitur dy makina, një lopë dhe paratë e tre viteve të pensionit të burrit të saj.

“Rreth orës 1, hajdutët ishin pas xhamit, krisi diçka dhe u ngrita, ata hynë me një automatik në dorë e me leva, ishin dy vetë. Na thanë mos lëvizni, unë u mundova të ngrihesha e të dilja jashtë e të mos dorëzohem. Burrin e lidhën direkt ndërsa unë u mundova të qëndroj. Ishin me maska me doreza. Na thanë na jepni paratë. I dha burri disa lekë që kishim shitur një mëzat. Morën çdo gjë ari që kishim, na lidhën na masakruan, më goditën me levë në kokë, na lanë lidhur e na morën çelësat e makinës që na kanë sjellë fëmijët nga Amerika. Ishin në dialektin tonë, por nuk i njoha fare, nuk mendoj që janë të zonës. Nuk kam arritur të kuptoj asgjë, sa tentova ti heq maskën më goditën me levë kokës. Kemi pasur lekë, se kemi shitur dy makinat e fëmijëve. Kishim paratë e pensionit që tre vite që I ruanim të bënim punime. Na morën të gjithë paratë, gjërat e arit, telefonat. Bashkëshorti I lënduar është po jo aq sa unë. Kamerat nuk janë përfunduar se I kemi vënë por nuk funksionojnë. Kam dalë vetë e lidhur këmbësh e duarsh, kam shkuar duke u zvarritur deri në kuzhinë, I kam zgjidhur këmbët burrit se vetes nuk arrita. Më pas burri shkoi tek komshia. Qëndruam të lidhur rreth një orë e gjysëm dy. Na lanë të lidhur e a mbyllën brenda, morën çdo gjë që kishim dhe kur iku njëri tha për mua që nuk e kam të gjatë . Jam 58-vjeçe dhe kam katër djem. Policia është nisur direct. Ka hasur në makinën e aksidentuar tonën, sepse ata i kanë grabitur dikujt tjetër një makinë. Kanë ardhur deri në një farë vendi ku kanë parë policinë e kanë ikur.”

Top Channel