Me zhvillimin e teknologjisë, transmetimi i kanaleve televizive përmes rrjetit kabllor është vjetëruar me kohën.

Kërkesat për cilësinë janë rritur dhe bizneset prej vitesh ofrojnë mënyra më të avancuara në transmetimet e përmbajtjes audio-vizive.

Piratët televizivë kanë ndjekur të njëjtin parim duke iu përshtatur zhvillimeve teknologjike dhe mundësive të reja që sjell ky novacion.
Me zhvillimin e teknologjisë dhe rritjen e cilësisë së transmetimit të kanaleve televizive, është shtuar edhe fenomeni i piraterisë. Vjedhja e përmbajtjes së platformave të ndryshme televizive nga kompanitë e ligjshme pa patur asnjë lloj kontrate me to.

Kompania “Speed line” për shembull, një Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar SHPK, e pozicionuar në Kukës ofron kanalet e platformës “Digitalb” përmes internetit.

Kjo kompani u ofron klientëve të saj paketën e kanaleve të Digitalb pa pasur snjë marrëveshje me këtë të fundit. Pra, kjo është një vjedhje, njëjtë si çdo vjedhje tjetër që parashikon Kodi Penal.

Por, le ti marrim gjërat me radhë dhe të analizojmë fillimisht origjinën dhe objektin e kësaj kompanie. Nëse I referohemi ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se subjekti ëhstë themeluar në vitin 2019. Objekti I aktivitetit është internet servis provider ose ISP, Import-eksport, shitje paisjesh të ndryshme, shërbimin e instalimit të paisjes për transmetimin e kanaleve televizive.

Ky shërbim që është i renditur edhe në ekstrakt ofrohet nga kompania por në mënyrë të jashtëligjshme pasi Digitalb, na informon se nuk ka asnjë kontratë me Speed Line..

Për të vërtetuar abuzimet, grupi i xhirimit të “Inside Story” zbriti në terren pranë një pike të “speed line” në Kukës. Misioni ishte verifikimi për të provuar nëse subjekti në fjalë piratonte kanalet televizive dhe kryente aktivitet shtesë nga çfarë kishte deklaruar në QKB.

Fillimisht, ne morëm një banesë me qira në Kukës për të instaluar pajisjen që ofronte kompania në transmetimin e kanaleve televizive.
Gjithçka, që nga interesimi në dyqan deri te instalimi dhe kryerja e pagesës është xhiruar me kamer të fshehtë.

“Speed Line” në veteve është një subjekt ISP, ose thënë ndryshe Internet Service Provider. Pra, ofruese e shërbimit të internetit. Përmes internetit ofron edhe kanalet televizive.

Ajo që ne kishim informacion për këtë kompani, u vërtetua me simulimin e bërë duke blerë paisjen dhe shërbimin e transmetimeve të digitalb.

Ne e ndoqëm përmes kamerave të fshehta të gjithë procesin e montimit të pajisjes dhe në fund verifikuam paketën me kanalet që ofroheshin. Rezulton se paketa përmban të gjitha kanalet që na u premtuan. Kjo mund të duket një marrëveshje e mirë edhe për klientin që paguan 500-600 lekë në muaj, ndërkohë që paketa bazë e Digitalb kushton 1 mijë lekë në muaj.

Por, nuk duhet të harrojmë faktin se për prodhimin e programeve kompania

Digitalb shpenzon miliona euro çdo vit. Këtu qëndron hilja që bëjnë kompanitë pirate. Vjedhin programet nga ata që shpenzojnë shuma të mëdha monetare dhe ofrojnë paketa më të lira. Por, si i jashtëligjshëm ky aktivitet mbart edhe rreziqe për konsumatorin. Klienti mund ta humbasë shërbimin pirat në momentin që konstatohet shkelja dhe bllokohet transmetimi nga AMA dhe AKEP.

Top Channel