Satira sociale e Ruben Ostlund, “Triangle of Sadness” fitoi Palmën e Artë, në Festivalin e 75-të të filmit në Kanë. Regjisori suedez mori një nga çmimet më prestigjioze të kinemasë për herë të dytë, pas atij me filmin “The Square” para 5 vitesh.

“Ndihem i lumtur sigurisht. Është çmenduri. E dini për çfarë jam më i lumtur? Sepse ne synonim të bënim një film të egër, argëtues ku kishim një përmbajtje që ne menduam se ishte e rëndësishme, ku publiku duhet të diskutojë më pas, pasi të përfundojë filmin”, tha Ruben.

Çmimet u përzgjodhën nga një juri prej nëntë anëtarësh e kryesuar nga aktori francez Vincent Lindon dhe u prezantuan të shtunën në një ceremoni përmbyllëse brenda Teatrit ‘Grand Lumière’ të Kanës.

Çmimi i dytë i jurisë, u nda mes dramës së butë të fëmijërisë “Close” të Lukas Dhont dhe thrillerit romantik të regjisores Claire Denis, “Stars at Noon”.

Çmimi ‘Aktorja më e mirë’ shkoi te Zar Amir Ebrahimi për interpretimin e saj si gazetare në “Holy Spider” të Ali Abbasit.

Regjisori suedez-egjiptian Tarik Saleh mori çmimin”Skenari më i mirë” për “Boy From Heaven”, një thriller ngjarja e të cilit zhvillohet në xhaminë Al-Azhar të Kajros.

Ceremonia përmbyllëse e së shtunës përfundoi me një Kanë që është përpjekur të ringjallë plotësisht ekstravagancën vjetore të Francës, ngjarje e cila u anulua në vitin 2020 nga pandemia dhe u organizua pa turma modeste vitin e kaluar.

Festivali i sivjetshëm gjithashtu u karakterizua me sfondin e luftës në Ukrainë, e cila shkaktoi protesta në tapetin e kuq dhe një dialog për qëllimin e kinemasë në kohë lufte.

Top Channel