Ibsen Elezi ishte i vetmi demokrat që u vendos përballë Sali Berishës në garën për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike.

Në zgjedhjet që u mbajtën këtë të diel, zgjedhësit demokratë votuan Sali Berishën, duke e rikthyer sërish në krye të Partisë Demokratike.

Ibsen Elezi, i ftuar në emisionin “Top Talk”, thotë se ende nuk ka një rezultat përfundimtar në dorë, por thekson se “është i përgatitur për të pranuar humbjen”.

Në momentin që do të kem një rezultat në dorë, sepse nuk po ma japin një rezultat të firmosur nga përfaqësuesi im në komision. Dua të kem një pasqyrë reale të asaj që ka ndodhur. Jo se unë nuk do të pranoj humbjen, sepse unë këtë e kam deklaruar dhe më parë, sepse në të gjithë pjesën e të bërit fushatë, nuk kam interesuar për vota dhe për faktin që unë do të rris vota. Unë dua ta di për pikëpamjet e mia, sa njerëz mendojnë kështu në Partinë Demokratike, pa i ngacmuar fare, pa u bërë një telefonatë më jep votën”.

Megjithatë, thekson demokrati, Partinë Demokratike nuk e shpëton ai që e udhëheq, nëse në themel të partisë nuk ka rregulla.

“Rregullat vlejnë më shumë se lideri. Dielli nuk lind atë ditë kur fiton Sali Berisha, dielli lind në Partinë Demokratike kur të gjithë fitojnë rregulla. Nëse kanë themel rregullat, nuk ndriçon nga lideri”.

Edhe pse fitorja e Berishës ishte e pritshme, Elezi kujton se “është më mirë të përpiqesh se të rrish kot”, duke folur kështu për deputetët që nuk përkrahin Berishës, por nuk e sfidojnë atë.

Një x person më mori në telefon dhe më thotë që ti po e bën kot këtë. I thash po e bëj kot, por nuk po rri kot. Se ia po rrinte kot. Se ti më mirë ik dhe voto që unë po rri kot, se sa rri kot te shtëpia. Ose rri kot dhe nuk ke asnjë aksion politik. Këta njerëz që nuk kanë asnjë aksion politik dhe presin të ndodhë diçka, që as vetë nuk e dinë, nuk i kuptoj dot.  Të garantoj që është hera e parë në Shqipëri që ndodh një garë që unë kam vënë në tavolinë vetëm idetë dhe qëndrimin tim dhe u kam thënë njerëzve: më voto ose mos më voto”, tha Elezi në “Top Talk”.

Sipas tij, sfidat e kryetarit të PD-së janë të mëdha dhe partia nuk mund të vijë në pushtet nëse në fillim nuk i nënshtrohet një reforme të thellë:

Sali Berisha ka sfida shumë të mëdha, sfidën më të madhe e ka pas një viti. Nuk është sfidë brenda Partisë Demokratike, se Berisha ka një numër idhtarësh sepse çohen dhe nuk pyesin se çfarë ndodh. Ata kanë mendjen e tyre dhe thonë që vetëm ky (Berisha) e mund Edi Ramën. Dhe vetëm kaq, janë fiksuar, nuk ndryshojnë nga ky opinion. Rrezikojmë që në 2023, po të mos kemi imazh demokrat të një partie të organizuar, se një parti që mbështetet në vjedhjen e votës nuk mund të organizohet. Kjo parti duhet patjetër të reformohet”.

Top Channel