“Nuk doja ta vrisja”/ Dita e tretë e gjyqit ndaj ushtarit rus, 21-vjeçari kërkon falje

20/05/2022 19:18

“Isha nervoz për çfarë po ndodhte. Nuk doja të vrisja”, u shpreh i penduar ushtari rus Vadim Shishimarin që po hetohet për vrasjen e një civili në fshatin Chupakhivka në verilindje të Ukrainës disa ditë pasi tanket ruse hynë në vend.

21-vjeçari Vadim Shishimarin ka pranuar në gjykatën e Kievit se ka vrarë një 62-vjeçar në nisje të pushtimit rus në Ukrainë që tashmë ka hyrë në muajin e tretë. Vrasja ndodhi në 28 shkurt teksa ne dhe ushtarët e tjerë po tërhiqeshim, por një oficer tjetër më nxiti, tha ai.

Më vjen keq për atë që kam bërë. Sinqerisht pendohem. Në atë moment… isha shumë nervoz kur ndodhi, kishte përballje. Nuk doja të vrisja viktimën!”

Gjyqi i parë ndaj një ushtari rus që akuzohet për krime lufte në Ukrainë vazhdoi këtë të premte në ditën e tretë, ku avokati Viktor Ovsyannikov kërkoi lirimin e klientit të tij me pretendimin se nuk ka qenë vrasje me paramendim. Duke marrë parasysh provat dhe dëshmitë, Shishimarin nuk është fajtor për krimin për të cilin akuzohet,” tha avokati në gjykatë, ndërkohë që prokurorët kërkuan këtë javë dënim të përjetshëm për rreshterin rus.

Këtë të premte, provat për krimet e kryera në Ukrainë u shtuan kur New York Times publikoi pamje të reja të vrasjeve që dyshohet të jenë kryer në Bucha, aty ku Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka filluar hetimet rreth pretendimeve se janë kryer krime kundër njerëzimit.

Në imazhe duken ushtarët rusë që në 4 mars, pranë Kievit ekzekutojnë tetë robër ukrainas, shkruan Neë York Times.

Institucionet ndërkombëtare po hetojnë njëkohësisht abuzimet që dyshohet se janë kryer nga forcat ruse në Ukrainë, ndërsa nuk ka asnjë reagim nga Moska zyrtare.

Rusia vazhdimisht i ka mohuar raportet për masakra ndaj civilëve në Bucha, kur pas tërheqjes së rusëve, në rrugë dhe në varre masive u gjetën trupat  e torturuar dhe masakruara të dhjetëra civilëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA