Negociatat për Presidentin në pikën zero/ Alibeaj: PS ndryshoi qëndrim! Balla: Marrëveshja s’është shkelur

20/05/2022 18:00

Negociatat mes PS e PD për Presidentin e ri të Republikës duket se janë kthyer në pikën zero.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj njoftoi anulimin e mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, ku do të diskutoheshin kandidaturat për president të Republikës, duke akuzuar socialistët për ndryshim të qëndrimit.

Alibeaj tha se PS donte të vidhte procesin dhe të ushtronin pushtetin e tyre edhe në Presidencë.

Ai theksoi se kandidatët e propozuara nga PD-ja nuk ishin të përfshirë në procese antiligjore, ashtu si të PS-së.

Pasi deklaratës së Alibeajt, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla us shpreh se PS nuk ka prishur asnjë marrëveshje, duke ftuar opozitën të rikthehet në tryezë për të diskutuar të gjitha emrat.

Duke i kujtuar opozitës se ka dhe disa ditë kohë në raundin e dytë, Balla theksoi se raundi i dytë dhe i tretë i takon vetëm opozitës duke theksuar se nëse presidenti nuk zgjidhet deri në të tretin, atëherë maxhoranca do të propozojë kandidatin.

Dy ditë më parë, shumica socialiste sfidën e propozimit të kandidaturave për president ia la opozitës.

Në raundin e dytë e të tretë në parlament do të shkojnë për votim vetëm kandidaturat që do të vijnë nga opozita.

Procesi i zgjedhjes së presidentit të ri kthehet tashmë në një sfidë të shumëfishtë për Enkelejd Alibeajn i cili duhet të këshillohet me grupin e tij parlamentar i ndarë në tre pjesë.

Pas 90 minuta diskutime, kryetari grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe homologu Enkelejt Alibeaj vulosën dakortësinë.

I vetmi i pakënaqur nga kjo tryezë doli Fatmir Mediu i cili kërkon një emër të unifikuar kandidati  brenda opozitës që do të thotë se edhe Sali Berisha duhet të pyetet paçka se socialistët e kanë përjashtuar nga ky proces.

Një ditë më parë, Alibeaj thirri mbledhjen e grupit parlamentar të PD, ku u ra dakord për tetë emra që do të diskutoheshin në mënyrë më të thelluar.

Emrat janë: Leonard Demi, Arben Çejku, Dritan Demiraj, Visar Zhiti, Rexhep Uka, Halim Kosova, Dashamir Shehu dhe Leka Zogu

Referuar deklaratave të Enkelejd Alibeajt në mbledhje, grupi i PD-së do të zgjedhë katër kandidatë, nga të cilët dy prej tyre do të përzgjidhen nga pala tjetër. Më pas do të ngrihet grupi i përbashkët PD-PS me gjashtë anëtarë i cili do të zgjedhë një prej kandidatëve të propozuar. Për të qenë konsensual, kandidati do të propozohet me firmat e përbashkëta të PD e PS, sipas Alibeajt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA