Pa një emër për Presidentin e ri të Republikës, parlamenti u mblodh sot në seancë plenare, ku u konsumua raundi i parë për zgjedhjen e kreut të Shtetit.
Edhe pse nuk ka një emër për t’u votuar, sipas kushtetutës ky quhet si një raund votimi i ezauruar për t’ja lënë vendin katër raundeve të tjera. Do të jetë konferenca e kryetarëve që do të vendosë datën e mbajtjes të raundit të dytë.
Kryetarja e komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka lexoi raportin e komisionit, ku njoftoi se nuk është dorëzuar asnjë kandidaturë për President të Republikës.
“Komisioni për çështjet ligjore shqyrtoi në një mbledhje të posaçme sot çështjen sa i takon raundit të parë për zgjedhjen e presidentit. Komisioni konstatoi se deri në afatin e përcaktuar asnjë kandidaturë nuk është depozituar. Në këto kushte komisioni, i paraqet seancës këtë raport pa kandidat”, tha Bushka. Në përfundim, kryeparlamentarja Nikolla kërkoi mbledhjen e Konferencës së kryetarëve me qëllim përcaktimin e raundit të dytë për zgjedhjen e Presidentit.
I pari që reagoi nga maxhoranca në përfundim të raundit të parë ishte Petrit Vasili, i cili e konsideroi farsë këtë seancë.
“Ishte vetëm për zhurmë, për të tërhequr vëmendjen nga aferat që rëndojnë mbi këtë qeveri. Tendera sekretë dhe me gjithë daullet e çara i rilindjes, patë që procesi ishte vetëm një abort total. Aborti ishte i plotë, së paku për sy e faqe për të justifikuar ato orë që ju kanë marrë juve, nuk sollën asnjë kloun. Ishte një faqe e zezë e vërtetë, kjo farsë është një fund. Edi Rama nuk ka proces, nuk ka seriozitet, ka vetëm qëllimin të rrëmbejë institucionin e presidentit.Ai do çojë në parlament rripin e tij. Dita e sotme i vuri vulën qëndrimit tonë. Komedia mbaroi me 5 sekonda”, tha Vasili.
Sakaq, Enkelejd Alibeaj përsëriti qëndrimin e tij, se maxhoranca nuk ka legjitimitet për të votuar presidentin dhe se duhet të jetë opozita ajo që të propozojë emrin e parë.
“Raundi i parë mbaron për pesë minuta dhe kuptohet fare mirë çfarë qëndron pas. Ne e bëmë punën tonë, morëm pjesë në proces, arsyetimi është fare i thjeshtë. Kjo mazhorancë nuk e ka legjitimitetin për të zgjedhur presidentin e për të dhënë një president neutral mbi palët. Qëndrimi ynë është i qartë. Kemi bërë një deklaratë të çuar zyrtarisht me një logjikë të thjeshtë, të jetë process konsensual e i besueshëm. Presidenti duhet ët zgjidhet në tre raundet e para që të jetë i besueshëm e me konsensus me të gjitha palët. Kemi qenë në pritje të qëndrimit që mazhoranca do të mbajë për propozimin tonë. Nuk do të duhet kurrsesi që të zgjidhet në raundin e katërt dhe të pestë pasi duhet të zgjidhet me 71 vota dhe këtë und ta bëje e vetme qeveria. Ky proces është i hapur për qëndrime” u shpreh Alibeaj.
Por krej ndryshe mendon kryeministri Rama. I sigurtë se maxhoranca i ka votat për ta zgjedhur Presidentin e ri në raudin e katërt e të pestë, kur majftojnë 71 vota, Rama tha se PS nuk ka pse të të dorëzojë të drejtën për të marrë pjesë në proces,
“Për cfarë arsye duhet PS të dorëzojë të drejtën për të marrë pjesë në proces, dhe tia kalojë këtë të drejtë kujt. Se në anën tjetër kemi lloj lloj copash e cikash, ku qëndron logjika në këtë. Ne e kemi kaluar këtë process dy herë në opozitë, në drejtimin tim të PS. Një herë kur kishim numra mjaftueshëm për të bllokuar, një herë kur nuk kishim numrat pra PD kishte numrat për të zgjedhur presidentin, dhe ne jemi ulur në tryezë, kemi bërë përpjekjen tonë e kemi vazhduar përpara, pavarësisht se shumica zgjodhi një president nga radhët e Partisë.” –tha Rama.
Tryeza e negociatave, mes trojkës socialiste Balla, Spiropali dhe Gjiknuri dhe kryetarëve të dy grupeve parlamentare nuk prodhoi emra, ndërsa presioni kohë sa vjen e shtohet në gjetjen e një ose disa emrave për t’i votuar në raundin e dytë, i cili kërkon 84 vota.
Për zgjedhjen e kreut të Shtetit, Kushtetuta ka parashikuar pesë raunde votimi. Në tre të parat nevojitet një shumicë prej tre të pestash, ndërsa në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë.
Konferenca e kryetarëve pritet të mblidhet ditën e nesërme për të përcaktuar datën për mbajtjen e raundit të dytë në parlament.
Top Channel