Integrimi i Shqipërisë në BE/ Ministrja Xhaçka takim me diplomatin Josep Borrell në Bruksel, çfarë u diskutua

16/05/2022 17:00

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin informal të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian me Ministrat e Punëve të Jashtme te Balljanit Perendimor, në Bruksel, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, z. Josep Borrell  në Bruksel.

Takimi pati si qëllim zhvillimin e një debati strategjik mbi Ballkanin Perëndimor, mes ministrave të jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sfidat e reja të krijuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

Në fjalën e saj Ministrja Xhacka evidentoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian, si edhe përkushtimin e qeverisë shqiptare në zbatimin e mëtejshëm të reformave të lidhura me agjendën evropiane. Shqipëria, theksoi ajo, është një aleate dhe partner i besueshëm i Bashkimit Evropian përsa i përket politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke u linjëzuar plotësisht me vendimet dhe deklaratat e Bashkimit Evropian në këtë fushë.

Xhaçka theksoi gjithashtu se mënyra se si Shqipëria ka reaguar ndaj situatës aktuale gjeopolitike i ka ngritur edhe më tej vlerat vendit tonë në sytë e partnerëve euro-atlantikë. Rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk duhet lejuar të shndërrohet në një dëm kolateral të krizës në Ukrainë, por duhet të përfshihet në iniciativat e përbashkëta evropiane për zgjidhjen e sfidave që dalin përpara.

Ndërkohë, vendimi për caktimin e dates së konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, sipas Ministres Xhaçka, do të ishte e vetmja rrugë për të ruajtur fuqinë transformuese të BE-së në rajon, për të mbajtur lart mbështetjen qytetare ndaj procesit të integrimit, si dhe për të rritur aftësitë për t’u përballur me ndikimin e aktorëve të tretë.

Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e marrëdhënieve mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke u dakordësuar rreth faktit se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është prioritet dhe një investim i rëndësishëm sigurie, ekonomik dhe gjeostrategjik për vetë Bashkimit Evropian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA