Pas 13-vitesh në elitë dhe mes sukseseve të njëpasnjëshme, Skënderbeu rikthehet në Kategorinë e Parë zyrtarisht pas barazimit 1-1 me Dinamon. Ky lajm solli edhe largimin e Skënder Gegës nga stoli i bardhekuqve korçarë. Vendimi i tij për të drejtuar korçarët me pak shpresë ishte marrëdhënia me presidentin Ardian Takaj, që vazhdon të jetë po kaq miqësore, ashtu siç e shohim edhe në këtë ndeshje play-off-i për 19-vjeçarët mes Skënderbeut dhe Tiranës.

“Personalisht e shijova, por më vjen keq që nuk u arrit objektivi sepse unë për atë qëllim kisha shkuar”, tha ish-trajner i Skënderbeut, Skënder Gega.

Pak ditë nga ky vendim në një rrëfim për Top Channel tekniku 58-vjeçar që në 9 pankinat e tij me Skënderbeun regjistroi 5 barazime 3 humbje dhe një fitore tregon se veç rezultateve korçarët i rrëzoi edhe padrejtësia në gjykim.

 “Nuk do të doja të kthehesha mbrapa por unë i qëndroj të njëjtit qëndrim, Skënderbeun e goditën arbitrat”, u shpreh ish-trajner i Skënderbeut, Skënder Gega.

Sa i përket të ardhmes Gega nuk i mohon ofertat, edhe pse ka bërë zgjedhje tjetër për momentin ,

“Unë me Taken isha dje në ndeshje me të jam edhe sot, të gjithë trajnerët kemi kontakte për të ardhmen, por për momentin nuk dua të flas dua të pushoj”, tha ish-trajner i Skënderbeut, Skënder Gega.

Ndërkohë presidenti Takaj ka preferuar të mos komentojë asgjë për momentin për këtë situatë.

 “Ik, se s’dua të flas…”, tha presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj.

Top Channel