Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja raportoi sot në komisionin e ligjeve mbi mënyrën e zbatimit nga organi i prokurorisë të rekomandimeve të dhëna nga Këshilli i Ministrave.

“Lufta ndaj korrupsionit është një nga sfidat kryesore për garantimin e pavarësisë së institucioneve dhe organeve publike, zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin shoqëror të Shqipërisë.” tha Manja ndërsa foli me rezerva mbi hetimet e nisura nga SPAK gjatë vitit që lamë pas. Në fjalën e tij para deputetëve, Ministri i Drejtësisë tha se vijon të mbetet i ulët roli i prokuroris përsa i përket hetimeve proaktive ose hetimeve të filluara kryesisht, ku rezulton se janë regjistruar 18 procedime penale kryesisht nga organi i Prokurorisë së Posaçme.

“Prokuroria e Përgjithshme ka hetuar 1792 çështje penale për veprat penale në fushën e korrupsionit , me një numër total prej 321 personash nën hetim dhe janë marrë të pandehur 169 persona. Rastet që dërgohen për gjykim mbeten përsëri të ulëta krahasuar me numrin total prej 556 çështjesh të regjistruara.

Referuar hetimeve proaktive ose hetimeve të filluara kryesisht për veprat penale në fushën e korrupsionit në vitin 2021, numri i përgjithshëm i veprave penale të referuara dhe kallëzuara është 41541 , nga të cilat vetëm 125 janë vepra penale të filluara kryesisht nga Prokurori, ose rreth 0,3% e numrit të përgjithshëm. Konstatohet se vijon të mbetet i ulët roli proaktiv i prokurorit (çështje të filluara kryesisht), veçanërisht në lidhje me veprat penale kundër korrupsionit.

Rezulton një rritje e numrit të çështjeve për veprat penale në fushën e pastrimit të parave regjistruar pranë Prokurorisë së Përgjithshme (rreth 5,2 % më tepër) krahasuar me të dhënat e vitit 2020. Nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) , rezulton se nga ky organ janë hetuar gjithsej 715 procedime penale, nga të cilat 352 procedime penale janë mbartur nga viti 2020, ndërsa 363 procedime penale janë regjistruar nga Prokuroria e Posaçme gjatë vitit 2021 si procedime penale të reja.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka regjistruar 339 procedime penale në fushën e korrupsionit, ose rreth 50.2% e veprave penale të regjistruara i përkasin grupit të veprave në fushën e korrupsionit, shifër kjo që shënon rritje nga viti i kaluar me 101 procedime më tepër. Numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara e ka neni 258 i Kodit Penal “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” me 90 procedime penale të regjistruara dhe neni 259 i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ” me 83 procedime penale të regjistruara, ku rezulton një ulje prej 15 procedime më pak.

Vijon të mbetet i ulët roli i prokuroris përsa i përket hetimeve proaktive ose hetimeve të filluara kryesisht, ku rezulton se janë regjistruar 18 procedime penale kryesisht nga organi i Prokurorisë së Posaçme. Lidhur me zbatimin e ligjit antimafia , nga Prokuroria e Posaçme për periudhën 01.01.2021 -31.12.2021 janë hetuar gjithsej 316 hetime pasurore (ose 3 më tepër se në 2020), nga të cilat 245 hetime janë mbartur nga viti 2020 dhe 71 hetime janë regjistruar në vitin 2021 (ose 56 më tepër se në vitin 2020 ).” u shpreh Manja në fjalën e tij.

Material i ministrit per raportimin ne KL 13 maj 2022

Top Channel