Një në pesë specie zvarranikësh janë në rrezik zhdukjeje por askush nuk duket se merakoset.
Kjo pasi sipas studiuesve, ato konsiderohen më pak karizmatikë nga njeriu dhe në fakt, më të shëmtuar sesa gjitarët apo zogjtë.
Sipas një studimi 15-vjeçar, për arsye të vanitetit ose boshësisë së njerëzve një masë e madhe zvarranikësh po shkojnë drejt zhdukjes.
Në projekt përfshiheshin 961 shkencëtarë nga 24 vende të cilët studiuan 10,196 specie zvarranikësh, pra shumë pranë 11 000 specieve të tyre që njihen në planet.
Pas vlerësimit të rreziqeve ata arritën në konkluzionin se 21.1 për qind e krijesave ishin të rrezikuara.
Zoologu amerikan Bruce Young i cili drejtoi kërkimin tha se nuk kishte mbledhur të gjitha fondet për të kompletuar kërkimet.
“Zvarranikët janë më pak karizmatikë se gjitarët apo zogjtë, njerëzit nuk kanë shumë dashuri për gjarprinjtë”, argumentonte ai për arsyet e mungesës së mbështetjes.
Ai shtoi se për këtë arsye projekti kishte vështirësi prej fillimit për të nisur, edhe pse është i pari i këtij lloji në botë.
“Një studim i tillë për zogjtë është bërë që në vitet 1990-të, për speciet amfibe është bërë në 2003 dhe për gjitarët në 2008, por kishte shumë dyshime për atë që do të ndodhte me zvarranikët”.
Zyrtarët shtonin se mes rreziqeve kryesore këtë kategori të botës së egër, ashtu si dhe për të tjerat ishin shpyllëzimi, zgjerimi i zonave urbane apo speciet invazive.
Young shtonte se në rastin e breshkave dhe krokodilëve rreziku kryesor është gjuetia.
Por ai shtonte se megjithse zvarranikët nuk janë shumë të pashëm edhe përpjekjet për ruajtjen e kolegëve të tyre më bukuroshë, gjithsesi kanë ndihmuar edhe ata.
Young, i cili është anëtar i grupit mjedisor NatureServe, tha: “Përpjekjet për mbrojtjen e kafshëve më të njohura rrjedhimisht kanë ndihmuar dhe shumë zvarranikë. Mbrojtja e habitateve është thelbësore si për zvarranikët dhe për vertebrorë të tjerë.”
Kreu i grupit NatureServe, Sean T. O’Brien shtoi: “Kafshët reptile nuk përdoren shpesh si imazhe frymëzimi për nismat e mbrojtes së botës së egër, por ato janë të mahnitshme dhe luajnë rol madhor në ekosistemet e planetit”.
“Ne të gjithë përfitojmë nga roli i tyre në kontrollin e parazitëve apo duke shërbyer si ushqim për zogjtë dhe kafshë të tjera”.
Top Channel