Mbledhja e Këshillit të PD-së, cilët janë në garë për postin e kryetarit

06/05/2022 17:46

Eleina Qirici dhe  Edi Paloka ishin kandidatët zyrtarë për kryetar Këshilli në Partinë Demokratike.

Në orën 18.00 është lajmëruar mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike nga Komisioni i Rithemelimit.

Kryesia e Grupit Parlamentar të PD-së u mblodh në selinë blu pak orë para mbledhjes së këshillit.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e grupit parlamentar Oriola Pampuri, e cila njoftoi se me shumicë votash është vendosur që kryesia e grupit të mblidhet rregullisht çdo javë, të premten në orën 09:15. Ajo theksoi se gjithashtu është vendosur që mbledhja e kryesisë jashtë radhës të mbahet ditën e hënë.

Mbledhja e këtij organi u njoftua një ditë më parë nga deputeti i PD-së,  Edi Paloka, i cili tha se Këshilli Kombëtar do të mblidhet në orën 18.00 dhe gjatë kësaj mbledhjeje do të zgjidhet edhe kryetari i këtij organi të PD-së.

Paloka gjithashtu njoftoi se në mbledhje do të ketë edhe një qëndrim për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Edhe pse pas zgjedhjeve të 6 marsit tentativat e PD-së ishin për bashkim, duket se Kuvendi Kombëtar i 30 prillit e thelloi më shumë ‘krizën’ në Partinë Demokratike.

Grupi i Rithemelimit nuk e njeh Enkelejd Alibeaj si kryetar të grupit parlamentar, pasi në 30 prill votuan për ta shkarkuar. Ditën e djeshme u thirr një mbledhje nga Alibeaj, ku anëtarët e Rithemelimit bojkotuan mbledhjen bashkë me deputetë të tjerë.

Nga 52 deputetë që ka PD-ja, vetëm 22 morën pjesë në mbledhjen e thirrur nga Alibeaj.

Top Channel