Dy të mitur në Elbasan rezultojnë të zhdukur që prej ditës së shtunë. Djali 14 vjeç nxënës i klasë së 8 të shkollës “Jorgji Dilo” dhe vajza 13 vjeçe nxënëse e klasës së 7 të shkollës “Qemal Haxhihasani” janë larguar së bashku, pasi familja nuk pranonte lidhjen e tyre të dashurisë. 

Djali nuk është paraqitur në shkollë të shtunën, por që në mëngjes ai ka shkuar në shkollës e vajzës për ta marrë atë. Kjo e fundit siç tregojnë bashkëmoshatarët ka dalë nga mësimi ndërsa shoqet e saj i kanë hedhur nga dritarja çantën.

Pas denoncimit policia ka nisur kërkimet por deri tani nuk ka asnjë informacion për vendodhjen e dy të miturve. E pabesueshme duket ngjarja për nxënësit e mësuesit shkollës “Qemal Haxhihasani”, pasi vajza ishte një nxënëse e shkëlqyer dhe fëmijë që në asnjë rast nuk kishte shfaqur problematika.

“Top Channel” shkoi në banesën e djalit të mitur, por familja ishte larguar. Ndërsa fqinjët thonë se prej dy ditësh ata ishin shumë të shqetësuar.

Policia po vijon kërkimet ndërkohë asnjë e dhënë zyrtare nuk vjen deri tani ndërsa nxënësit vijojnë të lëvizin lirshëm sipër kangjellave të shkollës, edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar.

Top Channel