Kryeministri italian Mario Draghi tha të martën se BE-ja duhet të dalë më e fortë nga sfidat historike të paraqituara nga lufta në Ukrainë dhe mos ta shohë zgjerimin si rrezik.
Ai shprehu mbështetjen e Italisë për hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe për negociatat e përforcuara me Kosovën dhe Bosnjën.
Draghi: Ky nuk është një kërcënim për projektin evropian, por pjesë e zbatimit të tij. Italia mbështet hapjen e menjëhershme të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne duam po ashtu të nxisim negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi dhe duam të mbështesim pritshmërisë e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Konflikti në Ukrainë i tha ai Parlamentit Evropian në Strasburg, ështe “një krizë sigurie, humanitare, energjetike dhe ekonomike e gjitha në një” që ka zbuluar se institucionet ekzistuese të BE ishin “të papërshtatshme” në përgjigjen e tyre.
Draghi, një ish-president i Bankës Qendrore Evropiane, i njohur për shpëtimin e euros nga kolapsi një dekadë më parë, tha se zgjerimi i BE-së drejt lindjes ishte kyç, duke përfshirë edhe anëtarësimin e Ukrainës.
“Ne duhet të integrojmë plotësisht vendet që kanë aspirata evropiane,” tha ai.
Disa ditë pasi Rusia e pushtoi në shkurt, Ukraina kërkoi me ngulm për hyrje të shpejtë në BE. Brukseli u përgjigj duke thënë se procesi ishte rigoroz, kompleks dhe zgjati vite, por i ofroi Kievit një fazë vlerësimi paraprak të përshpejtuar.
Top Channel