Pritja që nuk mbaron, familjarët e 1620 shqiptarëve  presin “kthimin” e të zhdukurve

28/04/2022 12:23

Tash e 23 vjet, Vezire Batusha pret kthimin e djemve e burrit të saj.

Lirimi e Burimi ishin vetëm 15 dhe 17 vjeç kur ushtarët serbë i morën me dhunë nga nëna e tyre mëngjesin e 26 marsit të 99-ës.

Vezire Batusha:  Prej dyerve të mija më poshtë, djemtë i kanë ndalë, ata djemtë ishin me qebe, tha “stoi” ti me djemtë, lëri djemtë të shkojnë në vend. Ne e dimë që serbët tanë. Mu mi ka marrë Gjorgji edhe Bora djemtë prej dore, ka punu ai me burrin tim.

Kur ka kaluar më shumë se një dekadë, Vezire Batusha ende kërkon eshtrat e të bijve dhe bashkëshortit, që të ketë një varr për t’i vizituar.

Vezire Batusha:  Ka ardhë puna me thanë qashtu, me i gjetë e me i varrosë, sikur me ardhë të gjallë, vetëm me ua ditë vendin ku e kanë. Shkon, qanë, ndalesh, ne e dijmë që gjallë më nuk dalin, as komplet nuk dalin, por me e ditë ku me i varrosë.

Ajo e ka vetëm një dëshirë të fundit, para se të vdesë.

Vezire Batusha:  Jo, jo, jo, qe 23 vjetë hala nuk e di, ma kam qef me e ditë, me i gjetë, me i varrosë sa jam vetë gjallë, me ditë ku me shku me ia qitë një lule kur të bahet përvjetori. S’po di ku me shku, me ja qitë një lule.

Nga lufta e fundit në Kosovë ende rezultojnë të zhdukur 1620 persona, bashkë me dy djemtë dhe bashkëshortin e Vezire Batushës.

Top Channel