NATO: Gati ta mbështesim luftën e Ukrainës për vite/ Moska: Mos na testoni durimin

28/04/2022 19:10

NATO është e gatshme të mbështesë Ukrainën në luftën kundër Rusisë për vite me radhë, duke përfshirë ndihmën që Kievi të kalojë nga armët e epokës sovjetike në armët dhe sistemet moderne perëndimore, kështu tha të enjten Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për një afat të gjatë kohor. Ekziston absolutisht mundësia që kjo luftë të zvarritet dhe të zgjasë me muaj dhe ndoshta vite. Aleatët e NATO-s po përgatiten të ofrojnë mbështetje për një periudhë të gjatë kohore për Ukrainën”, tha Stoltenberg.

Shumica e armëve të rënda që vendet e NATO-s kanë dërguar në Ukrainë deri më tani janë armë të prodhuara nga sovjetikët, por Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë të tjerë kanë filluar të furnizojnë Kievin me armatime të prodhuara kohët e fundit.

Deklarata e Stoltenberg erdhi pasi Kremlini paralajmëroi se furnizimet me armë perëndimore për Ukrainën, provokojnë destabilitet në Evropë.

“Në Perëndim, ata po i bëjnë thirrje hapur Kievit që të sulmojë Rusinë duke përfshirë përdorimin e armëve të marra nga vendet e NATO-s”, u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova.

Unë nuk ju këshilloj të testoni më tej durimin tonë“.

Vetë Presidenti rus Vladimir Putin tha se këto dërgesa të mëdha armësh janë pjesë e një plani më të gjerë nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për të shkatërruar Rusinë – dhe ka premtuar se nuk do të ketë kurrë sukses.

Putin thotë se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është i nevojshëm sepse Shtetet e Bashkuara po përdornin Ukrainën për të kërcënuar Rusinë dhe Moska duhej të mbrohej kundër persekutimit të njerëzve rusishtfolës.

 

Top Channel