Kryeministrja finlandeze nga Athina: Shumë shpejt, vendimi për anëtarësimin në NATO

28/04/2022 18:02
Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis

Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin ka deklaruar se vendi i saj do të vendosë “së shpejti” nëse do të bashkohet me aleancën e NATO-s.

Në një konferencë shtypi me homologun grek gjatë vizitës së saj në Athinë, ajo ka kërkuar më shumë sanksione kundër Rusisë.

Sulmi rus në Ukrainë i ka detyruar Suedinë dhe Finlandën të rivlerësojnë neutralitetin e tyre të gjatë ushtarak dhe dy vendet skandinave pritet të njoftojnë në maj nëse do të bëhen pjesë e aleancës euroatlantike të udhëhequr nga SHBA.

“Parlamenti dhe qeveria e Finlandës së bashku me presidentin do të vlerësojnë të gjitha implikimet e situatës së re të sigurisë dhe do të duhet të shqyrtojnë çështjen nëse do të aplikojnë për anëtarësim në NATO. Vendimet për këtë çështje do të merren shumë shpejt. Synimi themelor është garantimi i paqes për Finlandën edhe në të ardhmen”, u shprej Sanna Marin.

Dëshiroj të përsëris se i takon popullit dhe vetëm popullit finlandez që të bëjë një zgjedhje kaq të rëndësishme dhe nga ana ime them se Greqia do të respektojë vendimin sovran të popullit finlandez”, tha kryeministri grek Mitsotakis.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg deklaroi mesditën e së enjtes se Finlanda dhe Suedia do të mund të bëhen aleatë të NATO-s shumë shpejt nëse vendosin të aplikojnë duke bërë një marrëveshje për kapërcimin e  periudhës së ndërmjetme kur anëtarësimi duhet të ratifikohet zyrtarisht dhe të finalizohet në 30 parlamentet e shteteve anëtare të Aleancës.

Megjithë dyzimin e disa shteteve për këtë fakt, Stoltenberg vlerëson se anëtarësimi i dy fqinjëve veriorë do të dërgojë një “mesazh të fortë politik” se siguria e tyre është e rëndësishme për të gjithë aleatët e NATO-s.

Përballë mundësisë që Finlanda dhe Suedia do vendosin të anëtarësohen, Moska ka deklaruar se në kufirin që ndan me  Finlandën prej 1,300 km do të vendosë armë bërthamore dhe raketa hipersonike në enklavën e saj Baltike të Kaliningradit.

Top Channel