“Lufta mban aromë tjetër në vendngjarje”, politikani shqiptar viziton Kievin

27/04/2022 19:05

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Telat Xhaferri ka mbërritur këtë të martë në Kiev, ku ka parë nga afër pasojat e luftës, të shkaktuara nga ushtria dhe bombardimet ruse.

Politikani shqiptar ka postuar një video në rrjetin social “Facebook”, teksa udhëton me tren në vendet e prekura nga agresioni rus.  Lufta mban aromë tjetër në vendngjarje ndryshe nga ajo në fotografi, shkruan ai.

Sot, me ftesë të homologut tim Stefançuk jam në vizitë në Kiev. I vizitova Irpinin dhe Hostomelin. Lufta mban aromë tjetër në vendngjarje ndryshe nga ajo në fotografi. Qetësia është ndryshe në zonat luftarake”.

Jozyrtarisht është raportuar se Xhaferi ka mbërritur në mëngjes në Kiev përmes një udhëtimi me tren nga Polonia. Njëkohësisht, në vizitë në Ukrainë po qëndrojnë edhe kryetarët e Parlamentit të Rumanisë dhe Konfederatës Zvicerane.

Në një pasqyrim që mediet ukrainase kanë bërë për këtë viztië, Xhaferri citohet të ketë thënë: “Për ne është e rëndësishme të shohim nga afër se çfarë ndodhi këtu. Ne në Ballkanin Perëndimor i kemi të freskëta kujtimet nga imazhet e këtilla që i shihnim jo më gjatë se dy dekada më para, e kemi të freskët Reçakun në Kosovë, e freskët është Srebrenica në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjithsesi mendoj se ne ju kuptojnë dhe e dimë më së miri çfarë do të thonë këto imazhe që i shohim këtu”.

Kjo vizitë e Kryetarit Xhaferi është e para e këtij lloji e përfaqësuesit të lartë nga rajoni dhe vizitë e parë e të gjitha niveleve të pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Ukraina ka hyrë në muajin e dytë të luftës dhe tani shkatërrimet duket në çdo qytet të vendit, ndërsa Rusia shprehet se ka përqendruar forcat e saj në rajonin e Donbasit.

Top Channel