Rusia e kërcënoi, SHBA do të mbledhë 40 vende për të diskutuar ndihmën për Ukrainën

26/04/2022 08:31

Shtetet e Bashkuara do të mbledhin sot përfaqësuesit e më shumë se 40 vendeve për të diskutuar luftën në Ukrainë.

Takimi i tyre pritet të përqendrohet tek armatosja e Kievit në përpjekje për t’u mbrojtur nga një sulm vendimtar rus në lindje të Ukrainës, thanë zyrtarët amerikanë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, do të drejtojë takimin në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, pas një udhëtimi në Kiev, ku ai premtoi shtimin e mbështetjes amerikane lidhur me përpjekjet e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për luftën në vendin e tij.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Gjenerali Mark Milley, tha se qëllimi kryesor i bisedimeve ishte sinkronizimi dhe koordinimi i shtimit të asistencës së sigurisë për Kievin që përfshin armatim të rëndë, si dhe dronë luftarakë dhe municione.

“Javët e ardhshme do të jenë shumë kritike. Ata kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme në mënyrë që të jenë të suksesshëm në fushën e betejës. Dhe ky është me të vërtetë qëllimi i kësaj konference”, tha Milley.

Jo më larg se dje, një zyrtar rus paralajmëroi se se për Rusinë do ishte e papranueshme furnizimi i Ukrainës me armë.

Top Channel