Bashkimi Europian nxitoi t`ia bënte të qartë miliarderit Elon Musk se platforma sociale e porsablerë prej tij, Twitter, të duhet të veprojë në pajtim me ligjet e reja të Europës që frenojnë fuqinë e tepruar të teknologjisë.

“Qoftë për ngacmimet në internet, shitjen e produkteve të falsifikuara… pornografinë e fëmijëve, apo thirrjet për akte terrorizmi. Twitter do të duhet të përshtatet me rregulloret tona evropiane që nuk ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara”, u shpreh komisioneri i BE-së, Thierry Breton.

Musk arriti një ditë më parë marrëveshjen për blerjen e rrjetit social për thuajse 44 miliardë dollarë. Sipërmarrësi i famshëm e përshkruan veten si mbështetës të flaktë të lirisë së shprehjes dhe nuk i ka fshehur synimet që se dëshiron ta blejë platformën, pasi beson se ajo nuk po e shfrytëzon potencialin që ka për liri të shprehjes.

Madje, edhe gjatë procesit të blerjes ai është zotuar se do të mbajë një qëndrim të fortë në raport fjalën e lirë në këtë platform. Por nëse Musk e vë në jetë zotimin e tij, ai do të përballet shpejt me Aktin e Shërbimeve Dixhitale, një pjesë kryesore e legjislacionit të BE-së që parashikon pasoja të ashpra lidhur me përmbajtjet e ndaluara.

“Pavarësisht se cilët janë aksionerët e tij, Twitter tani e tutje do të duhet të përshtatet plotësisht me rregulloret europiane”, tha Breton, i cili, është dhe nga mbështetësit më të fuqishëm të ligjeve të reja.

Top Channel