Gjermania nis tanket kundër Rusisë, “dorëzohet” qeveria-ndihmë vdekjeprurëse për Ukrainën

26/04/2022 13:14

Gjermania do të autorizojë më në fund dorëzimin e armëve të rënda në Ukrainë sot pas disa javësh ankthi që ka njollosur, sic thonë mediat britanike, reputacionin e saj në skenën botërore dhe ka ngritur pyetje lidhur me angazhimin e saj ndaj sigurisë europiane.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht pritet të njoftojë gjatë takimit të përfaqësuesve të mbi 40 vendeve në bazën ajrore të Ramsteinit dërgimin në ukrainë të rreth 50 tankeve Gepard të pajisura me sisteme kundërajrore.

Industria gjermane e mbrojtjes e kishte ofruar që në shkurt shitjen e mjeteve të tilla për Ukrainën, por ishte bllokuar nga qeveria e kancelarit Olaf Scholz, çka shkaktoi protesta brenda dhe jashtë vendit. Scholz, partia e të cilit SPD ka mbajtur tradicionalisht lidhje të ngushta me Rusinë, argumentonte se do të nevojitej shumë kohë për të trajnuar ushtarët ukrainas që të përdornin armë të tilla dhe se shitja e armëve në vetvete mund të provokonte Vladimir Putinin.

Megjithatë, nën presionin e fortë si të aleatëve ndërkombëtare, ashtu edhe të vetë partnerëve të tij të koalicionit, Scholz duket ka vendosur të ndryshojë kurs. Lambrecht do të pohojë se është rënë dakord të dorëzohen Gepard të përdorur. Në të njëjtën kohë, do t`i paraqitet dhe parlamentit një plan i cili kërkon që qeveria ‘të vazhdojë e nëse është e mundur, edhe të përshpejtojë dërgimin e pajisjeve në Ukrainë’.

Gama e pajisjeve të nisura drejt këtij vendi do të zgjerohet, duke përfshirë dorëzimin e armëve të rënda por edhe të sistemeve komplekse’, sipas një drafti të dokumentit të siguruar nga AFP. I njëjti dokument tregon se ushtarë ukrainas do të dërgohen në Gjermani dhe vende të tjera të NATO-s, në mënyrë që të trajnohen për përdorimin e këtyre armëve.

Top Channel