​Gazetarët e pavarur rusë të luftës që raportojnë nga Ukraina: Kemi parë shumë morgje, përdhunime e plaçkitje

26/04/2022 16:37

Kur gazetarja ruse Lilia Yapparova filloi të raportonte nga pala ukrainase e luftës, e nisur nga fqinji i saj post-sovjetik, Rusia, ajo priste të përballej me armiqësi.

“Sinqerisht u befasova nga fakti që njerëzit do të shpenzonin shumë kohë dhe përpjekje për të më ndihmuar. Njerëzit do të kishin pasur të drejtën e tyre për të thënë, ‘jo, ne nuk kemi kohë për ju tani‘”, tha Yapparova, e cila punon për median e pavarur Meduza.

Pavarësisht censurës në vend, një pjesë e vogël e gazetarëve të pavarur rusë kanë punuar pa u lodhur në Ukrainë për të raportuar mbi luftimet. Përveç intervistimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ata kanë dokumentuar provat e vrasjeve masive, përdhunimeve dhe plaçkitjeve nga ushtria ruse në qytete dhe fshatra pranë Kyivit.

Njerëzit më ndihmuan. Kishte prej atyre që më gjenin vende për të qëndruar dhe i ndihmuan redaktorëve të mi që të më jepnin para dhe ilaçe” tha Elena Kostyuchenko, një reportere për gazetën Novaya Gazeta, e cila mbërriti në Ukrainë në ditën e dytë të luftës.

Përveç raportimit së ngjarjeve nga qyteti perëndimor i Lvivit, Kostyuchenko punoi në Odesa dhe në Mykolaiv, në Ukrainën jugore. Udhëtimi i saj më i rrezikshëm gjatë raportimit përfshinte kalimin e vijës së frontit me makinë për të arritur në qytetin e pushtuar të Khersonit.

Derisa gazetarë si Kostyuchenko ishin në detyrë në Ukrainë, mediet për të cilat ata punonin në Rusi po përballeshin me një të ardhme të pasigurt.

Media e lajmeve e Yapparovas, Meduza, u bllokua brenda Rusisë menjëherë pas pushtimit dhe tani është e qasshme vetëm me një VPN. “Unë vazhdimisht mendoj për numrin e njerëzve në Rusi që e dinë të vërtetën dhe numrin e njerëzve që janë të mbrojtur nga e vërteta. Por nuk e mendoj për punën time”, tha Yapparova.

Karshi censurës në rritje brenda Rusisë, biseda me gazetarë të pavarur është një nga mënyrat e pakta në të cilat zyrtarët ukrainas mund të përpiqen të komunikojnë drejtpërdrejt me audiencën ruse.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dha një video-intervistë me gazetarët rusë. Peter Verzilov, redaktori i MediaZona ishte takuar me Zelenskyn për të bërë një intervistë për një dokumentar.

Ata që punojnë në terren për mediat ruse janë të ekspozuar ndaj të njëjtave tmerre dhe rreziqe si gazetarët ukrainas dhe të huaj të luftës.

Kam vizituar shumë morgje. Në morgje mund të merrni informacione objektive për luftën. Kur shkova në morgun e Mykolaivit, pashë trupa të grumbulluar njëri mbi tjetrin. Hapa një derë në një dhomë tjetër, pashë më shumë trupa, përfshirë fëmijë. Dhe disa trupa ishin të shtrirë në oborr”, tha Kostyuchenko.

Oksana Baulina, 42-vjeçe, një gazetare ruse nga media e pavarur The Insider vdiq muajin e kaluar nga bombardimet ruse derisa ishte në një detyrë për të dokumentuar agresionin ushtarak në lagjen Podil të Kyivit.

Pas më shumë se një muaj në Ukrainë, Yapparova i përshkruan ndjenjat e saj si “një përzierje e lodhjes fizike, emocionale dhe mendore”.

Por, ajo thotë se nuk e ka ndërmend të largohet nga vendi. “Së bashku me luftën kundër Ukrainës, po zhvillohet një luftë kundër shtypit të pavarur [në Rusi]. Dhe nuk e di se si do të përfundojë gjithçka. Por unë nuk jam gati të varros shtypin e pavarur në Rusi. Nuk do ta bëj”, përfundon ajo. / KosovaPress

Top Channel