Ishte lajm i rremë/ Zëvëndëskryeministrja ukrainase: Asnjë korridor humanitar nuk është hapur për evakuimin e njerëzve nga uzina e çelikut

25/04/2022 16:31

Zëvëndëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk, ka përgënjeshtruar lajmin për një marrëveshje të arritur mes Rusisë dhe Ukrainës për evakuimin e personave që ndodhen në uzinën e çelikut në Mariupol

Ajo tha se ky lajmë është bërë publik nga pala ruse dhe se korridori humanitar do të hapet me dakordësi të të dyja palëve, pasi nëse hapet vetëm me dëshirën e njërës palë nuk do të ofrojë siguri maksimale për njerëzit që do të evakuohen.

“Sot, pala ruse shpalli edhe një herë ekzistencën e një korridori për largimin e civilëve nga Azovstal. Kjo mund të besohej nëse rusët nuk do t’i kishin thyer korridoret humanitare shumë herë më parë. Unë e di se çfarë po them sepse, në emër të presidentit, unë personalisht jam duke zhvilluar negociata të tilla dhe duke organizuar korridoret humanitare. Është e rëndësishme të kuptohet se Korridori humanitar hapet me marrëveshje të të dyja palëve. Korridori i shpallur në mënyrë të njëanshme nuk ofron siguri, prandaj në fakt nuk është korridor humanitar”.- tha Vereshcuk.

“Pra, unë deklaroj zyrtarisht dhe publikisht: për fat të keq, sot nuk ka marrëveshje për korridoret humanitare nga Azovstal,” shtoi Vereshchuk.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë lëshoi ​​një deklaratë të hënën duke ofruar ndërprerjen e të gjitha armiqësive rreth uzinës Azovstal, një objekt ku forcat ukrainase ende po qëndrojnë, për të lejuar civilët të largohen “në çdo drejtim që ata zgjedhin”.

Vereshchuk tha se pala ukrainase i kishte kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres që të inicojë dhe garantojë një korridor evakuimi për civilët nga Azovstal. Guterres është planifikuar të takohet veçmas me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus Vladimir Putin.

“Ne kërkojmë që përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq të jenë të pranishëm në kolonën humanitare,” tha Vereshchuk. “Ne shpresojmë për efektivitetin e bisedimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së me përfaqësuesit rusë.”

 

Top Channel