Bota “hap thesin” për mbrojtjen: Shpenzimet ushtarake mbërrijnë nivel rekord!

25/04/2022 14:35

Tensionet disa mujore që paraprinë pushtimin e Ukrainës, e nxitën botën të mendojë më shumë për mbrojtjen.

Shpenzimet globale në këtë fushë rezulton të kenë pësuar një rritje të ndjeshme vitin e kaluar, duke kapërcyer për herë të parë nivelin e 2 trilionë dollarëve. Në raportin e ri të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm, thuhet se pavarësisht pasojave ekonomike që shkaktoi pandemia e koronavirusit, shpenzimet e mbrojtjes u rritën me 0.7 për qind vitin e kaluar, në krahasim me 2020-tën, duke shkuar në 2.113 trilionë dollarë.

Pesë janë vendet me shpenzimet më të mëdha: Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Britania dhe Rusia, nënvizohet në raport. Shtetet e Bashkuara përbëjnë 38 për qind të shpenzimeve ushtarake, ndërsa Kina 14 për qind. Sipas Institutit, shpenzimet ushtarake në Rusi u rritën për 2.9 për qind, përkatësisht në 65.9 miliardë dollarë apo 4.1 për qind të bruto prodhimit të brendshëm.

Rritja e shpenzimeve në tërësi erdhi në kohën kur Moska po përgatitej për pushtimin e Ukrainës, thuhet në dokument. Ukraina, në anën tjetër, regjistroi rënie të shpenzimeve të mbrojtjes vitin e kaluar – në 5.9 miliardë dollarë apo 3.2 për qind të bruto prodhimit të saj të brendshëm.

Megjithatë, thekson raporti, në përgjithëso shpenzimet e mbrojtjes në Ukrainë janë rritur me 72 për qind qëkur Rusia aneksoi në mënyrë të paligjshme gadishullin e Krimesë, në 2014-tën.

Top Channel