Zgjedhjet presidenciale në Francë/ Deri tani pjesëmarrje më e ulët në votim se në 2017

24/04/2022 16:17

Në Francë po zhvillohet raundi i dytë vendimtar i zgjedhjeve presidenciale. Në mesditë, kishin votuar pak më shumë se një e katërta e qytetarëve, pjesëmarrje më e ulët se në të njëjtën kohë pesë vjet më parë.

Gjatë raundit përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale në Francë, deri në mesditë votuan një e katërta e francezëve të regjistruar. Ministria e Brendshme franceze tha se pjesëmarrja në orën 12 të mesditës ishte 26.41%. Kjo shifër është pak më e lartë se 25.48% e regjistruar në të njëjtën kohë gjatë votimit të parë dy javë më parë. Megjithatë, ajo ka rënë nga zgjedhjet presidenciale pesë vjet më parë.

Kandidatët që konkurrojnë janë liberal-konservatori Emmanuel Macron dhe kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Në zgjedhjet e 2017-ës, kur Macroni dhe Le Pen u përballën gjithashtu në raundin e dytë, deri në mesditë patën votuar më shumë se 28% e votuesve.

Para votimit të dytë pritej një pjesëmarrje mjaft e ulët, si në raundin e parë.

Macroni dhe Le Peni votuan

Të dy kandidatët tashmë e dhanë votën. Macroni votoi me të shoqen Brigitte në mesditë në Le Touquet-Paris-Plage, në Francën veriore. Le Peni votoi në mëngjes në Hénin-Beaumont, pranë Lille-s, në Francën veriore.

Sondazhet e fundit parashikuan epërsi për Macronin, midis 55 dhe 56.5 për qind.  Por nuk përjashtohet edhe një fitore e kundërshtares së tij. Herë pas here, në balotazhin presidencial në Francë ka fituar edhe kandidati që ka dalë i dyti në raundin e parë.

Le Peni jep votënLe Peni jep votën

Thirrje për të votuar Macron-in

Për shkak të kërkesave shpesh shumë të djathta të Le Pen-irt, shumë parti, kandidatë të eliminuar dhe grupe shoqërore kanë bërë thirrje këtë herë që vota të jepet për Macronin. Po të fitojë, ai do të jetë presidenti i parë francez në 20 vjet që fiton një mandat të dytë.

Por rezultati do të varet edhe nga numri i njerëzve që do të votojnë. Sipas sondazheve, një numër rekord votuesish mund të votonin me fletë të bardhë ose të mos shkojnë fare në qendrat e votimit. Të dy kandidatët janë përpjekur të merrnin 7.7 milionë votat e kandidatit të majtë Jean-Luc Mélenchon, i cili nuk u kualifikua për në raundin e dytë. Melenchoni bëri thirrje për të mos zgjedhur Le Penin, por nuk bëri thirrje që të zgjidhet Macroni.

Edhe Macroni, edhe Le Peni janë përpjekur të tërheqin votuesit e kampit të Jean-Luc Mélenchon-it. Për këtë, Macroni theksoi edhe një herë temën e mbrojtjes së klimës.

Jean-Luc Melenchoni duke votuarJean-Luc Melenchoni duke votuar

Vëmendje edhe në Berlin dhe në Bruksel

Edhe Brukseli dhe Berlini po i ndjekin me vëmendje zgjedhjet. Ndryshe nga Macroni proevropian, Le Peni dëshiron të distancohet nga Gjermania dhe të ndryshojë rrënjësisht Bashkimin Evropian.

Presidenti francez zgjidhet për pesë vjet. Ai ushtron një ndikim vendimtar në politikën e vendit dhe luan një rol më të rëndësishëm se kreu i qeverisë që ai ka emëruar.

Në Francë, qendrat e votimit janë të hapura deri në orën 19:00 dhe në disa vende deri në 20:00. Për shkak të dallimit kohor, disa territore franceze jashtë shtetit, si Karaibet, votuan të shtunën./DW

Top Channel