Kali i qyqes shkaba e fundit folezuese në Europë është rikthyer këtë vit në të paktën në tri prej territoreve të tij në jug të vendit.
Joni, Ledi dhe Sonila ornitologë të specializuar në monitorimin, studimin dhe mbrojtjen e kalit të qyqes udhëtuan drejt Kurveleshit atje ku edhe kanë ngritur një stacion të ushqimit suplementar për këta shpendë të rrallë të rrezikuar globalisht.
Në pak orë ata arritën të pikasin një çift në kohë pushimi në faqen e një shkëmbi të thepisur. Imazhet e ofruara prej pajisjeve të vëzhgimit ishin mbresëlënëse.
Kali i qyqes i kërcënuar me zhdukje e ka reduktuar popullatën e tij në Ballkan me gati 80% në 30 vitet e fundit. Ornitologët besojnë se në këtë fazë mbrojtja e të pesë territoreve të tij në Shqipëri është jetike ndërsa shpresohet edhe në shtimin me individë të rinj.
Ekipi i organizatës për Mbrojtjen dhe Konservimin e Mjedisit Natyror në Shqipëri ( PPNEA ) shpreson që të gjithë individët që udhëtuan rreth 8000 km për të dimëruar në Afrikë të kthehen këtë vit. Shqipëria ka humbur që prej vitit 2005 të paktën 9 nga 14 çiftet e kalit të qyqes.
Helmimet dhe elektroshoku kanë qenë dy prej kërcënimeve të tyre gjatë folezimit ndërsa specialistët mendojnë se për ta shpëtuar specien simbol gjerësisht të përhapur përgjatë historisë do të duhet të rriten përpjekjet ndërkombëtare sidomos për të garantuar sigurinë përgjatë shtegëtimit.
Top Channel