OBSH: Shtim rastesh të hepatit akut te fëmijët, është përhapur në 11 shtete

24/04/2022 15:10

Organizata Botërore e e Shëndetësisë ka identifikuar 169 raste të hepatit akut, tek fëmijët nga një muajsh deri në 16 vjeç, në të paktën 11 shtete.

Mes këtyre rasteve thotë OBSH, një nga fëmijët ka humbur jetën, ndërsa 17 të tjerë iu është dashur një transplant i mëlcisë. Shumica e rasteve, 114, janë raportuar në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas OBSH-së, ka pasur 13 raste në Spanjë, 12 në Izrael, 9 në Shtetet e Bashkuara dhe një numër më i vogël rastesh të konfirmuara në Danimarkë, Irlandë, Holandë, Itali, Norvegji, Francë, Rumani dhe Belgjikë.

Shumë raste raportuan simptoma si dhimbje barku, diarre dhe të vjella  si dhe rritje të niveleve të enzimave të mëlçisë dhe verdhëz.

Shumica e rasteve të raportuara nuk kishin ethe, tha OBSH, dhe viruset e zakonshme që shkaktojnë hepatitin akut viral — si viruset e hepatitit A, B, C, D dhe E — nuk janë zbuluar në asnjë nga këto raste.

Hepatiti është inflamacion i mëlçisë, një organ jetik që përpunon lëndët ushqyese, filtron gjakun dhe ndihmon në luftimin e infeksioneve.

Më shpesh, hepatiti shkaktohet nga një virus dhe adenoviruset janë një lloj i zakonshëm i virusit që përhapet nga personi në person që mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh të lehta deri në më të rënda. Por këto viruse raportohen rrallë si shkaktarë të hepatitit të rëndë te njerëzit e shëndetshëm.

OBSH tha se hetimi për shkakun duhet të fokusohet në faktorë të tillë si “ndjeshmëria e shtuar e fëmijëve të vegjël pas një niveli më të ulët të qarkullimit të adenovirusit gjatë pandemisë COVID-19, shfaqja e mundshme e një adenovirusi të ri, si dhe SARS-CoV -2 si  bashkëinfeksion”.

Top Channel