“Mësymja e Ukrainës, vetëm fillimi”, Zelensky: Rusia do sulmojë vende të tjera

23/04/2022 12:33

Kundërsulmet ukrainase e kanë frenuar avancimin e trupave ruse gjatë natës, teksa Kiev i ka thirrjet për ndihmë të huaj, pas deklaratave se Moska po i zgjeron qëllimet e luftës.

Në videon-mesazhin e fundit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i falenderoi shtetet që kanë dërguar armë për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës, por pas pohimeve të shtabit të Përgjithshëm i Ukrainës se forcat ruse kanë shtuar sulmet në gjithë pjesën lindore, e pati dhe një paralajmërim.

“Në rajonin e Donbasit, Azovit, Mariupolit dhe Khersonit është duke u vendosur fati i kësaj lufte dhe e ardhmja e shtetit tonë. Por Vladimir Putin ka synime tjera territoriale në rajon, përveç atyre për të pushtuar lindjen dhe jugun e Ukrainës. Vendet e tjera duhet të na ndihmojnë, sepse ne jemi të parët në radhë. Pyetja është kush do të jetë tjetri?”, tha  Zelensky.

Kreu në detyrë i Qarkut Qendror ushtarak të Rusisë, Rustam Minnekayev, u citua një ditë më parë të pohonte se kontrolli i plotë i jugut të Ukrainës është qëllim strategjik për të mundësuar qasjen në rajonin pro-rus të Moldavisë, Transnistria.

Komentet e tij përbëjnë përshkrimin më të detajuar të qëllimeve të Rusisë në fazën e dytë të pushtimit të Ukrainës dhe janë përmendur nga Kievi si shenjë se Kremlini ka gënjyer në deklaratat fillestare kur ka thënë se Moska nuk ka ambicie territoriale.

Kievi ka përmendur po ashtu se rajoni Transdniestër mund të përdoret për të organizuar operacionet ruse kundër Ukrainës dhe Moldavisë, e cila ndan kufirin me shtetin anëtar të NATO-s, Rumaninë.

Lajmi ngjalli panik në Moldavi, ministria e jashtme e të cilës thirri me urgjencë për ambasadorin rus për të shprehur “shqetësimin e saj të thellë”.

“Moldavia është shtet neutral dhe ky parim duhet të respektohet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, duke përfshirë Federatën ruse”, thuhet në deklaratën e saj.

Top Channel