Zelensky: Rusia planifikon referendum të rremë në jug/ BE:Nuk pranojmë paqe diktatoriale

22/04/2022 19:50

Presidenti ukrainas ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të organizojë një proces referendumi të rreme për pavarësi, në zonat e pushtuara pjesërisht të Kherson dhe Zaporizhias.

Zelensky u kërkoi ukrainasve të mos ua dorëzojnë të dhënat e tyre personale pushtuesve.

Jini shumë të kujdesshëm në lidhje me informacionin që u jepni pushtuesve. Dhe nëse ju kërkojnë të plotësoni disa pyetësorë, apo të lini të dhënat e pasaportës tuaj diku, duhet ta dini – kjo nuk bëhet për t’ju ndihmuar“, tha Zelensky.

Ndërkohë Ministrat e Jashtëm të Lituanisë dhe Gjermanisë, Gabrielius Landsbergis dhe Annalena Baerbock, në një konferencë shtypi në Vilnius mbi luftën në Ukrainë thanë se nuk do të pranojnë një paqe diktatoriale.

Nuk mund të ketë armëpushim me asnjë lloj çmimi. Ne nuk do të pranojmë një paqe diktatoriale. Vetëm ukrainasit do të vendosin të ardhmen e tyre. Pasi ne jemi përpjekur vazhdimisht të arrijmë sigurinë e përbashkët në Evropë me Rusinë si partner, Rusia e Putinit tani po na detyron të marrim një kurs të ri”, tha Baerbock.

Landsbergis i bën thirrje NATO-s të rrisë praninë e saj në Lituani dhe në shtetet e tjera baltike.

“NATO duhet të jetë e përgatitur për të mbrojtur shtetet baltike që në minutat e para të çdo konflikti. Që kjo të arrihet, më shumë trupa të NATO-s duhet të vendosen në Lituani dhe në shtetet e tjera baltike. Mbështetja e Gjermanisë është jashtëzakonisht e rëndësishme për arritjen e synimeve të tilla. Rusia, me paratë evropiane të paguara për burimet energjetike, po ruan ekonominë e saj dhe po rikthen humbjet e saj nga lufta”.

Rusia tha të enjten se po mbyllte konsullatat e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë në përgjigje të mbylljes së konsullatave të Moskës në tre shtetet baltike për shkak të sulmit ndaj Ukrainës.

Top Channel