Pamjet e fundit satelitore nga një zonë pranë Mariupolit, tregojnë se ka varre të reja masive.

Maxar Technologies publikoi pamje të reja satelitore ku tha se tregonin më shumë se 200 varre në një qytet pranë Mariupolit, teksa zyrtarët ukrainas akuzuan se kjo është vepër e rusëve.

Pas publikimit të pamjeve, Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut i kërkoi Moskës dhe Kievit që të urdhërojnë luftëtarët të respektojnë ligjin ndërkombëtar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se forcat ruse kontrollojnë pjesën më të madhe të Mariupolit, por trupat ukrainase vazhdojnë të qëndrojnë aty dhe të luftojnë.  Të enjten, rusët  pretenduan fitore në betejën për Mariupolin, edhe pse rreth 2,000 ukrainas mbeten të strehuar në një fabrikën e Azovstal.

Ndërkohë qytetet në Donbas u vunë në shënjestër të zjarrit rus gjatë natës dhe sulmet ndërprenë përpjekjet për të evakuuar civilët në një nga zonat. Gjenerali rus Rustam Minnekayev tha se Moska synon të marrë nën kontroll të gjithë Ukrainën jugore dhe lindore, objektiva lufte shumë më të gjera nga sa kishte pranuar më parë.

Gjenerali tha se Moska synonte të merrte Donbasin, ta lidhte me gadishullin e Krimesë dhe të merrte nën kontroll të gjithë jugun e Ukrainës deri tek një rajon separatist i Moldavisë i pushtuar nga Rusia.

 

Top Channel