Sërish donacione për Ukrainën, Tajvani do të dërgojë 8 milionë dollarë ndihmë në Kiev

22/04/2022 21:24

Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu njoftoi ditën e sotme se do të ndihmojë  kryeqytetin ukrainas  Kievin, me 8 milionë dollarë.

Me një video-telefonatë me kryebashkiakun e Kievit, Vitali Klitschko ai bëri me dije se donacioni përfshin 3 milionë dollarë për qeverinë e Kievit dhe 5 milionë dollarë shtesë për gjashtë spitalet lokale.

Kjo është hera e katërt që Tajvani dërgon ndihma për vendin e shkatërruar që nga fillimi i luftës.

Wu tha se pushtimi i Rusisë në Ukrainë jo vetëm që shkaktoi dëm të madh për popullin ukrainas, por gjithashtu kërcënoi rendin ndërkombëtar dhe komunitetin demokratik.

Klitschko e falenderoi atë për donacionin nga qeveria dhe populli tajvanez, duke theksuar se paqja mund të fillojë vetëm kur ushtari i fundit rus të largohet nga Ukraina.

Top Channel