“Satana e Rusisë fshin të gjithë Anglinë”/ Pentagoni minimizon: Nuk është kërcënim për ne

21/04/2022 13:24

Rusia trumpetoi me të madhe testin e parë të raketës së saj balistike ndërkontinentale, Sarmat, që është raketë e re në arsenalin e saj bërthamor.

Presidenti rus, Vladimir Putin, u shfaq në televizionet ruse, teksa zyrtarët ushtarakë e informuan se raketa ishte lëshuar nga Plesetsk, në veriperëndim, dhe kishte goditur një shënjestër në Gadishullin Kamçatka, në Lindjen e Largët.

Sarmat është raketa më e fuqishme me rrezen më të gjatë të veprimit dhe arrin të shkatërrojë objektivat më të largëta në botë, që do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme fuqinë luftuese të forcave bërthamore strategjike të shtetit tonë”, tha ministria ruse e mbrojtjes. Shefi i agjencisë ruse të hapësirës Dmitry Rogozin e quajti në mënyrë provokative provën e së mërkurës me këtë raketë si “një dhuratë për NATO-n”.

Por zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby minimizoi provën e Rusisë me një raketë të re balistike ndërkontinentale, për të cilën Kremlini thotë se do të jetë në qendër të strategjisë së tij bërthamore.

“Rusia njoftoi siç duhet Shtetet e Bashkuara në bazë të detyrimeve të saj bazuar në marrëveshjen e re START që po planifikonte të bënte këtë provë me raketë balistike ndërkontinentiale. Provat e tilla janë rutinë. Nuk ishte një surprizë. Ne nuk e konsideruam provën si një kërcënim për Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj”, tha Kirby.

Putin tha se kjo armë është unike dhe do t’i bëjë ata që kërcënojnë Rusinë “të mendojnë dy herë”.“Sarmat” është një raketë e rëndë, që pritet të zëvendësojë raketën “Voyevoda” të prodhimit sovjetik, e cila është quajtur “Satani” nga Perëndimi. Presidenti Putin tha se ajo mund të depërtojë çdo sistem të të mundshëm të mbrojtjes raketore.

Putin e quajti këtë “një ngjarje të madhe, domethënëse” për industrinë ruse të mbrojtjes. Ai tha se “Sarmat” do të garantojë sigurinë e Rusisë nga kërcënimet e jashtme dhe “i bën ata që, në kulmin e retorikës së furishme, agresive, përpiqen të kërcënojnë vendin tonë, të mendojnë dy herë”. Rusia mbështetet në raketat balistike ndërkontinentale me mbushje bërthamore, përfshirë raketën “Sarmat” për strategjinë e saj të frenimit të një sulmi ndaj saj nga një vend tjetër.

Shtetet e Bashkuara kanë raketat e saj balistike me aftësi bërthamore, por kohët e fundit anuluan një provë me këtë lloj arme për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve.

Top Channel