Nuk iu bind ndalimit të policisë/ Aksidentoi një person dhe përplasi një makinë, arrestohet 30-vjeçari

21/04/2022 16:27

Një 30-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme në Tiranë pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe si pasojë aksidentoi një shtetas dhe përplasi një automjet.

Duke vlerësuar riskun që ky shtetas paraqiste duke drejtuar mjetin në mënyrë jo të rregullt, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk i është bindur dhe ka vazhduar lëvizjen.

Gjatë tentativës për t’u larguar, drejtuesi ka aksidentuar shtetasin D. B., 61 vjeç, në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”, dhe më pas, në rrugën “Sulejman Delvina”, ka përplasur një mjet tip taksi dhe është larguar.

Në afërsi të ish-sheshit “Shqiponja”, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit, drejtuesi i të cilit, pas testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur.

30-vjeçari u arrestua për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kundështimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA