Gjermaninë e “mbysin” emigrantët: Një në katër vetë, ka prejardhje emigracioni

21/04/2022 13:46

Gjermania shënon një rritje aq të madhe të qytetarëve me “prejardhje emigracioni”, sa llogaritet se aktualisht, një në katër banorë të vendit është i tillë.

Një sondazh i fundit tregon se më shumë se një e katërta e njerëzve që jetojnë aktualisht në Gjermani, ose janë të lindur jashtë vendit ose kanë të paktën një prind emigrant.

Shifrat e fundit të publikuara nga Agjencia Gjermane e Statistikave Destatis, tregojnë se “njerëzit me prejardhje migracioni” përbëjnë 27.2% të popullsisë së Gjermanisë. Sipas të dhënave të nxjerra nga agjencia ky është numri më i lartë që nga viti 2005, kur ky sondazh u krye për herë të parë. Nga 82 milionë banorë që jetojnë Gjermani, rreth 22.3 milionë janë të lindur jashtë Gjermanisë ose kanë prejardhje jo gjermane.

Shumica e njerëzve me prejardhje migracioni e kanë origjinën nga Evropa dhe Azia. Rreth 7.5 milionë kanë lidhje me vendet e tjera të BE-së, 3.5 milionë me Lindjen e Mesme dhe 1.1 milion me Afrikën. Turqia mbetet shteti me numrin më të madh të migrantëve në Gjermani, me 12%, e ndjekur nga Polonia me 10% dhe Rusia me 6%.Anketuesit evidentuan se në 46% të rasteve, njerëzit me prejardhje emigracioni komunikojnë ekskluzivisht ose kryesisht gjermanisht në shtëpinë e tyre.

Turqishtja është gjuha e dytë më popullore, me 8% të njerëzve me prejardhje migrante që e flasin atë në shtëpi, e ndjekur nga rusishtja me 7% dhe arabishtja me 5%. Prej shumë dekadash ekonomia gjermane ka qenë shumë e varur nga punëtorët e huaj, ndërkohë që politikanët vitet e fundit kanë punuar për të joshur edhe më shumë emigrantë në vend.

 

Top Channel