Evakuohen me sukses 79 civilë nga qyteti i rrethuar i Mariupolit

21/04/2022 21:18

Administratori ushtarak rajonal i Donetskut, Pavlo Kyrylenko njoftoi ditën e sotme se 79 ukrainas janë evakuuar nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

“Pas disa vonesave dhe përpjekjeve të dështuara për të hapur një korridor evakuimi nga qyteti i rrethuar, kjo është hera e parë që nga fillimi i bllokadës së Mariupolit nga forcat pushtuese ruse, që ne arritëm të evakuonim banorët vendas në mënyrë të organizuar në një vend të sigurt”, shkroi Kyrylenko në një postim në Telegram.

Kyrylenko tha se pothuajse 100,000 banorë të Mariupolit kanë mbërritur tashmë në Zaporizhzhia, njëkohësisht premtoi se autoritetet ukrainase do të vazhdojnë të punojnë shumë në mënyrë që të gjithë ata që duan të kenë mundësi të shpëtojnë nga qyteti i rrethuar.

Ai u shpreh se gjatë përpjekjeve të mëparshme për të tërhequr civilët, forcat ruse nuk zbatuan marrëveshjet e tyre duke penguar evakuimet.

“Këtë herë, katër autobusë arritën të largoheshin nga qyteti i rrethuar në mënyrë të organizuar. Është shumë më pak se sa ishte rënë dakord, por ne ende gëzohemi për çdo jetë të shpëtuar”, shtoi më tej ai.

 

Top Channel