Rreth 69 mijë të dypunësuar duhet të bëjnë deklarimin e të ardhurave dhe të paguajnë tatim shtesë deri në 30 Prill

20/04/2022 08:31

82,178 individë duhet të bëjnë deklarimin e të ardhurave personale deri në datën 30 prill, pasi kanë detyrimin pёr tё plotёsuar “Deklaratёn individuale vjetore tё tё ardhurave” pёr vitin 2021.

Nga këta, 13.521 individë duhet ta bëjnë deklarimin pasi kanë paga bruto vjetore mbi 2 milionë Lekë.

Ndërsa 68.657 individë kanë detyrimin për të bërë deklarimin e të ardhurave pasi kanë qenë të dypunёsuar tё paktёn nё njё periudhe tё vitit, ku në total paga e kёsaj periudhe ishte më e lartë se 30,000 lekë, dhe në total paga bruto vjetore është më e ulët se 2 milionë lekë.

Shifrat janë bërë të ditura nga Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve pas kërkesës së “Monitor”.

Deklarata bëhet vetëm elektronikisht nëpërmjet modulit e-filing https://efiling.tatime.gov.al/cats_public/Account/LogOn. Deklarata del e papaplotësuar në sistem, por individët mund të bëjnë rishikimet e deklarimeve nëse kanë të ardhura të tjera.

Të dypunësuarit duhet të paguajnë tatim shtesë

Për individët që kanë të ardhura bruto nga paga mbi 2 milionë lekë dhe nuk kanë pasur të ardhur pagë tjetër, ky deklarim nuk sjell pagesë shtesë të tatimit mbi të ardhurat personale, pasi ata e kanë paguar TAP të plotë gjatë vitit.

Janë të dypunësuarit ata, që për të dytin vit, do të duhet të paguajnë tatimin shtesë mbi të ardhurat dhe duhet të kishin kursyer gjatë vitit për të mos u rënduar me pagesën e menjëhershme.

Përmes një ndryshimi në ligjin për të ardhurat të miratuar në fund të vitit 2019, që filloi të zbatohet për të ardhurat e 2020-s, të gjithë të dypunësuarit, pa dallim, do të duhet të deklarojnë tatimin mbi pagat (brenda 4-mujorit të parë të vitit pasardhës), duke i llogaritur si një e vetme, në momentin që do të bëjnë deklarimin e të ardhurave vjetore dhe do të duhet të paguajnë tatimin shtesë.

Ndryshimi ligjor bëri që tashmë të gjithë të dypunësuarit detyrohen të bëjnë deklarimin e të ardhurave të 2021-t dhe të rillogarisin dhe derdhin tatimin e detyruar për tu paguar në një bankë të nivelit të dytë, bazuar në deklaratën e gjeneruar nga sistemi i tatimeve për deklaratën Vjetore Individuale të të Ardhurave.

Kjo sjell automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi përjashtohen vetëm njëherë nga TAP zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).

Nga 1 prilli i këtij viti, pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, në kufirin mbi 200 mijë lekë, nga 150 mijë lekë që ishte deri tani, por ky lehtësim do të shërbejë për deklarimet që bëhen vitin e ardhshëm, për të ardhurat e vitit 2022.

Në vitin 2021 u paguan 8 milionë euro shtesë

Sipas raportit vjetor të tatimeve, Individët me paga të larta dhe të dy punësuarit, përveçse paguan taksat e pagave në pagesat e tyre mujore, u paguan tatimeve gjatë vitit 2021 për deklarimet e vitit 2020 edhe rreth 1 miliard lekë (8 mln euro) të tjera në formën e TAP.

Në total, pagesa me bankë për “Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave” (DIVA) nga lista e të dy punësuarve ishte rreth 460 milionë lekë, ose rreth 3.7 milionë euro, sipas raportit vjetor 2021 të tatimeve.

Tatimet sqarojnë si bëhet plotësimi

Plotësimi i Deklaratës Individual Vjetore të të ardhurave bëhet vetëm elektronikisht nëpërmjet modulit e-filing. Individët e regjistruar më parë e dorëzojnë deklaratën nëpërmjet adresës ekzistuese që kanë në e-filing. Ndërsa individët që dorëzojnë për herë të parë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, fillimisht duhet të regjistrohen në e- filing.

Çdo deklaratë individuale vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal në letërnjoftimin e individit.

Detyrimi për të dorëzuar Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave e kanë:

  • Individët reziden të cilët kanë realizuar të ardhura, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër.
  • Individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën 2,000,000 (dy milionë) lekë e më tepër.
  • Individët të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi.

Deklarata vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë, që vendosin të bëjnë deklaratën, megjithëse nuk kanë detyrimin ligjor për këtë, për arsye se duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, kur këta individë plotësojnë kushtet e përfitimit të zbritjes së shpenzimeve.

Nga ky detyrim përjashtohen të gjithë individët që realizojnë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet në shumën e përgjithshme më pak se 2 000 000 (dy milionë) lekë.

Deklarata Individuale të të Ardhurave (DIVA), për periudhën tatimore 2021 duhet të bëhet jo më vonë se data 30 Prill 2022./ Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA