Mungesa e armëpushimit sjell probleme me korridoret e evakuimit në Mariupol

20/04/2022 22:25

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk tha se një korridor evakuimi nga qyteti e Mariupolit  “nuk funksionoi siç ishte planifikuar” ditën e sotme.

Ajo dha shumë pak detaje nga situata e krijuar, por premtoi se dita e nesërme do të sjellë rifillimin e përpjekjeve për të rinisur evakuimet.

“Për shkak të mungesës së kontrollit mbi ushtrinë e tyre në terren, pushtuesit nuk ishin në gjendje të siguronin një armëpushim të duhur. Gjithashtu për shkak të çorganizimit dhe neglizhencës, pushtuesit nuk ishin në gjendje të siguronin transportin në kohë të njerëzve deri në atë pikë ku dhjetëra nga autobusët tanë dhe ambulancat po prisnin”, tha ajo, sipas CNN.

Kryetari i bashkisë së Mariupolit u bërë thirrje banorëve të qytetit që të evakuoheshin përgjatë një korridori të hapur ditën e sotme, të cilat përfshinin tre pika grumbullimi.

Në një deklaratë për media kreu i administratës ushtarake të rajonit të Donetskut, Pavlo Kyrylenko tha se numri i njerëzve që kërkojnë evakuimin ishte më i vogël seç ata e kishin menduar.

 “Njerëzit u mblodhën në ato pika grumbullimi, por pak hipën në autobusë. Tani disa nga këta autobusë po shkojnë në rrugën e përcaktuar nga Federata Ruse. Sapo të jenë në kontakt ne do t’ju informojmë menjëherë se cili nga banorët e Mariupolit ka arritur në territorin e kontrolluar nga Ukraina”, tha Kyrylenko.

Ukraina është përballur prej disa javësh me sulme të vazhdueshme, ndërsa forcat ruse tashmë janë përqëndruar në zonat lindore.

Qyteti i Mariupolit prej disa ditësh po përballet me sulme intensive të cilat kanë rritur kërkesat  për evakuime emergjente të civilëve.

Top Channel