Ushtarët rusë kanë marrë nën kontroll qytetin lindor ukrainas Kreminna.

Lajmin e bëri të ditur kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Luhansk Serhii Haidai, i cili tha se rusët kanë hyrë në qytet dhe e kanë marrë atë nën kontroll. Ai iu referua rusëve me fjalën ‘orc’, që nënkupton se rusët i ngjajnë racës së elfëve, luftëtarëve brutalë.

Evakuimi i civilëve vazhdon ndërsa Rusia sulmon nga të gjitha drejtimet me anë të bombardimeve intensive ajrore.

Haidai vlerëson se rreth 350,000 njerëz jetonin në rajon përpara se të vinte kontrolli rus ndërsa tashmë ai tha se kanë mbetur vetëm rreth 70,000 .

“Ata ose janë larguar vetë ose me ndihmën e vullnetarëve ose organizatave fetare… Ata do të shkojnë në perëndim të Ukrainës,” tha Haidai. 

“Njerëzit mund të vendosin nëse duan të shkojnë në Evropë dhe të marrin statusin e refugjatit ose nëse duan të gjejnë një punë aty ku janë, ose nëse duan të presin deri në fitoren dhe fundin e okupimit dhe ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Nëse ato shtëpi janë ende në këmbë. Nëse jo, qeveria po zhvillon një program për ndërtimin e përshpejtuar,” tha ai, duke shtuar se bombardimet ruse kishin shkatërruar pothuajse të gjithë infrastrukturën.

“Gjithçka është shkatërruar plotësisht. Ekipet tona të riparimit mund të rregullojnë pak, por një orë më vonë, granatimet e reja e shkatërrojnë përsëri. Është i njëjti proces çdo herë. Është një problem i madh.”

Lidhur me numrin e vdekjeve të civilëve, Haidai tha se ishte “e pamundur” të jepej një numër.

 

Top Channel