Greqia sekuestron cisternën ruse: Bllokohet anija, por jo ngarkesa

19/04/2022 16:49

Autoritetet greke sekuestruan një cisternë të Moskës në Detin Egje, duke vepruar mbi bazën e sanksioneve që Bashkimi Europian ka vendosur ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Anija, me 19 anëtarë rusë ekuipazhi në bord u ndalua pranë qytetit bregdetar të Karystos në bregun jugor të ishullit Evia.

“Mjeti është sekuestruar si pjesë e sanksioneve të BE-së”, deklaroi një zyrtar i Ministrisë së Transportit.

Roja bregdetare sqaruan më pas se urdhri i konfiskimit kishte të bënte me vetë anijen dhe jo me ngarkesën e saj.

Anija kishte pasur probleme mekanike dhe po shoqërohej me një rimorkiator në Peloponez, në mënyrë që ngarkesa e saj të transferohej në një anije tjetër.

Megjithatë, deti i trazuar e detyroi të ndalonte në Karystos. Bashkimi Europian, anëtare e të cilit është dhe Greqia, ka vendosur një sërë sanksionesh mbi Moskën pas sulmit në Ukrainë qëllimi i të cilave është të shtojnë trysninë mbi ekonominë ruse e mbi vetë presidentin Vladimir Putin për ta detyruar t`i japë fund ofensivës e të shpallë pushimzjarrin në vendin fqinj.

Sanksionet përfshijnë ndalimin e importit dhe eksportit për një gamë të gjerë mallrash dhe ndalimin e hyrjes në portet e BE-së nga anijet me flamur rus.

Top Channel