Sinjale lufte nga Irani, kërcënon Izraelin: Bëj një lëvizje dhe…

18/04/2022 14:56

Teksa vëmendja e botës është përqendruar tek lufta në Ukrainë, Irani gjen kohën të kërcënojë Izraelin.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi e bëri të qartë se  se forcat e armatosura të shtetit të tij do ta shënjestrojnë vendin hebre, nëse ky i fundit ndërmerr veprime kundër Republikës Islamike.

“Nëse ndodh lëvizja më e vogël nga ana juaj kundër shtetit të Iranit, qendra e regjimit Zionist do të jetë destinacion i forcave tona të armatosura. Irani po ndjek nga afër me kujdes çdo lëvizje të Izraelit”.

Komentet e Raisit erdhën gjatë gjatë fjalimit në paradën vjetore të forcave të armatosura të Iranit. Teherani nuk e ka njohur Izraelin që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe mbështet grupe militante anti-izraelite, të tilla si Hamas dhe Hezbollah, ndërsa e fajëson po kështu Izraelin për sabotim të centraleve të tij nukleare dhe për vrasjen e një shkencëtari bërthamor.

Izraeli nuk e ka mbajtur sekret faktin që i kundërvihet marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore, të arritur më 2015, një pakt ky të cilin e konsideroi që në fillim si të pamjaftueshëm për të reduktuar programin bërthamor dhe aktivitetet ushtarake të Iranit në mbarë rajonin.

Teherani dhe fuqitë botërore po tentojnë që ta ripërtërijnë ujdinë e vitit 2015 që u shemb pasi ish presidenti Donald Trump vendosi ta tërhiqte SHBA nga pakti, por bisedimet në Vjenë kanë ngecur për javë të tëra.

Top Channel