Rusët kapin dy britanikë, “tërbohet” Londra: “Paradë” në televizionin shtetëror rus

18/04/2022 16:30

Dy britanikë që luftonin për Ukrainën kanë rënë në duart e forcave ruse, që nuk kanë ngurruar ta përdorin këtë moment në funksion të propagandës së tyre.

Mediat në Angli thonë se rusët i kanë detyruar Aiden Aslin dhe Shaun Pinner, që shërbenin me marinsat ukrainas në qytetin e rrethuar të Mariupolit, që t`i luten kryeministrit Boris Johnson t`i shkëmbejë  me aleatin e Kremlinit të prangosur së fundi në Kiev, Viktor Medvedchuk.

 “Dua t`i bëj thirrje qeverisë të më kthejë në shtëpi, dua të shoh sërish gruan time. Do të donim të këmbeheshim, unë dhe Aiden Aslin me zotin Medvedchuk. Padyshim, do ta vlerësojë shumë ndihmën tuaj në këtë çështje”, tha i burgosur britanik Shaun Pinner.

Mediat angleze thonë se apeli i tyre është bërë padyshim në kushtet e një presioni shumë të fortë, ndërsa shfaqen nervozë e të lodhur në filmim.

Shërbimi sekret ukrainas nxori dhe ai një video tjetër të Medvedchuk i cili kërkon gjithashtu që të shkëmbehet me mbrojtësit e qytetit të Mariupolit dhe civilët që lejohet të largohen prej andej.

Tre ditë pasi forcat ruse hynë në Ukrainë, Medvedchuk u arratis nga arresti shtëpiak ku ishte vendosur në maj 2021 për tradhti të lartë dhe terrorizëm.

Politikani pro-rus, njëherazi kumbar i vajzës së Putinit, i mohon akuzat e ngritura ndaj tij.

Zelensky kishte propozuar më herët shkëmbimin e 67-vjecarit me ukrainasit që janë kapur e mbahen ne Rusi.

Pinner sakaq është një veteran i ushtrisë britanike, i cili është martuar me një grua ukrainase, ndërsa Aslin është një ish punonjës ndihme i cili në 2015-ën luftoi në Siri në krah të forcave kurde që udhëhiqnin përpjekjet në terren të koalicionit anti-Isis.

Top Channel