Qytetet janë ndotësit më të mëdhenj të mjedisit

18/04/2022 17:30

Në përpjekjet për të luftuar ngrohjen e klimës duhet që qytetet me zhvillim të shpejtë, që prodhojnë pjesën më të madhe të gazrave që shkaktojnë efektin serë, të kthehen në sisteme të pastra ekologjike.

Rreth 85% e njerëzimit do të jetojë në vitin 2100 në qytete. Shumë njerëz do të jetojnë në qytete të mëdha, megacities, me mbi 10 milionë banorë. Këto xhungla urbane janë vrasëse të klimës. Të ndërtuara me çelik, me një industri që prodhon shumë dioksid karboni, duke u furnizuar dhe ngrohur me qymyr, naftë dhe gaz, qytetet janë përgjegjëse për rreth 75 përqind të emisioneve të dioksidit të karbonit.

Raporti i fundit i OKB propozon rrugët për të luftuar krizën e klimës shkaktuar veçanërisht nga qytetet. Dioksidi i karbonit që krijohet nga ndërtesat urbane, si gjatë ndërtimit ashtu edhe gjatë përdorimit, është shtuar 50 përqind që nga viti 1990, thuhet në raport. Kjo do të thotë se ky sektor duhet të ulë shumë dhe shpejt karbonin që nxjerr, nëse ngrohja globale duhet të mbesë brenda 1,5 grad celciusit (2,7 grad fahrenhajt) më shumë se niveli i 1990-ës.

BdT China | Sonnenuntergang in Shanghai

Dioksidi i karbonit që prodhohet mund të ulet në zero në vitin 2050, nëse qytetet furnizohen nga energji të rinovueshme, ndërtesat janë të izoluara dhe të kthyera në ndërtesa me energji eficiente dhe transporti elektrifikohet. Kthimi i qyteteve në ekologjikë do të mbërthente dioksidin e karbonit dhe do të ndihmonte në luftimin e gazrave që shkaktojnë efektin serë, vdekjeprurës, shumë problematik për metropolet e mëdha.

Por meqenëse 60 përqind e ndërtesave që do të jenë pjesë e qyteteve në vitin 2050, nuk janë ndërtuar ende, ëndërra e qytetit neutral për klimën, që nuk prodhon aspak ose prodhon pak dioksid karboni është e realizueshme, thonë ekspertët.

Qytetet mund të kryesojnë zbutjen e ngrohjes së klimës

Qytetet mund të bëhen mikrobotë të zbutjes së suksesshme të ndryshimit së klimës, thotë Rogier Vandenberg, zëvendësdrejtor global në Qendrën për qytetet e qëndrueshme, Ross Center for Sustainable Cities në Institutin e burimeve botërore, World Resources Institute, një organizatë joqeveritare me seli në SHBA.

“Një mundësi e madhe ekziston tek qytetet për shkak të përqëndrimit të madh të njerëzve, që do të thotë se mund ta ulim shumë prodhimin e dioksidit të karbonit,” thotë ai. “Zgjidhja është tek qytetet.”

Megjithatë sfidat mbeten të mëdha, si për arritjen e ndryshimit në qytetet kompakte, me dendësi të madhe, ku njerëzit jetojnë ngjitur njëri tjetrit ashtu edhe për uljen e nevojës për përdorimin e automjeteve.Sipas një sistemi popullor planimetrie, synimi është që të krijohet mundësia për të plotësuar të gjitha nevojat në një distancë 15 minutëshe në këmbë ose me biçikletë.

Hongkong | Kowloon Bay | Hochhäuser Wohnsiedlung

Pas pandemisë, janë bërë eksperimente për të reduktuar kohën e udhëtimit duke i krijuar njerëzve mundësinë që të jetojnë dhe punojnë në një zonë të vetme, si për shembull në lagjet 20 minutëshe të Melburnit dhe 15 minutëshe të qytetit të Parisit.

“Prej dekadash ne e dimë se qytetet funksionojnë më mirë, janë më të pastra, më të qëndrueshme, më të përshtatshme, kur ju ofroni shërbime aty ku njerëzit banojnë,” thotë Vandenberg.

Një vizion i ri në planifikimin urban

Por kjo do të kërkonte vizione të reja në planifikimin urban larg nga zgjerimi horizontal që është evident në shumë qytete të mëdha të botës. “Ne duhet të mendojmë në mënyrë krejt tjetër për planifikimin urban, si të përshtashim qytetet,” thotë Vandenberg.

Neuseeland | Aussichtsplattform Sky Tower Auckland

Qasja e barabartë në rrjetin eficient të transportit urban është shumë e rëndësishme nëse komunitetet e varfra urbane duhen kthyer në qytete neutrale ndaj klimës.

Qytetarët në vendet me të ardhura të ulta harxhojnë 35 përqind të të ardhurave për transportin, për shkak të zgjerimit urban dhe mospatjes mundësi për të banuar aty ku punohet, vëren Vandenberg. Qendra për qytetet e qëndrueshme, Ross Center for Sustainable Cities, e cila synon të mbështesë qytetet për tu kthyer në neutrale deri në vitin 2050, fokusohet pjesërisht në elektrifikimin e transportit urban, përfshirë autobuzët, në qytetet me zhvillim të shpejtë të Afrikës. Digjitalizimi i infrastrukturës së transportit do jetë po ashtu kyç në përpjekjet për të përshtatur transportin me nevojat e njerëzve.

Por meqenëse transporti është përgjegjës vetëm për 20 përqind të dioksidit të karbonit, sipas Vandenbergut, problemi kryesor mbeten ndërtesat, të cilat prodhojnë tre herë më shumë dioksid karboni.

Nevojitet më shumë kapital në treg dhe mbështetje më e madhe e investitorëve për të ndërtuar ndërtesa që shkaktojnë pak dioksid karboni dhe për të kthyer në ndërtesa me energji eficiente ndërtesat e tjera, shpjegon ai.

Po ashtu duhen vendosur standarte universale për ndërtimin e qëndrueshëm, gjë që do të nxisë investimet nga fondet e pensioneve dhe fonde të tjera që kërkojnë të dekarbonizojnë bizneset e tyre. Pra duhet kuptuar më mirë cilat janë përfitimet e ekonomisë. ” Aktualisht, numri më i madh i vendeve të punës për një investim një milion dollarësh është në kthimin e ndërtesave në ndërtesa me energji të renovueshme,” thekson Vandenberg.

Europa synon krijimin e qyteteve me karbon neutral deri më 2030

Në qytetet europiane, si për shembull Kopenhageni ëndërra është bërë realitet tashmë. Kryeqyteti danez ndodhet në rrugë të mbarë për tu kthyer në qytet neutral për klimën që në vitin 2025, duke punuar më shumë se 10 vjet për të zëvendësuar 2 milion tonë dioksid karboni, që prodhon qyteti në vit, me një rrjet të ri inteligjent energjie të renovueshme.

BdT Deutschland | Spiderman Alain Robert klettert in Frankfurt

Ndërkohë ka filluar një program për të bërë 100 qytete të Bashkimit Europian qytete netrale ndaj klimës dhe inteligjente deri në vitin 2030. Objektivi përfundimtar është që deri në vitin 2050 të gjitha qytetet të kthehen në neutrale ndaj klimës.

Sipas vlerësimeve të Material Economics, një kompanie suedeze për çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm, për një qytet me mesatarisht 100 mijë banorë kostot për tu kthyer në qytet neutral ndaj klimës deri në vitin 2030, mund të jenë më të larta se 1 miliardë euro. Ndihma për financimin dhe dijet, ofrohen nga Net Zero Cities, një konsorciumi i BE.

Qytete më të shëndetshme 

Rreth 85 përqind e europianëve mendohet të jetojnë në zonat urbane deri në vitin 2050, dhe kryetarët e bashkive janë duke kuptuar “përfitimet e tjera” që vijnë nga neutraliteti për klimën, duke përfshirë ajrin e pastër, që përmirëson shëndetin e qytetarëve dhe ul ndotjen, thotë Matthew Baldwin, manaxher i projektit të BE për 100 qytetet neutrale ndaj klimës.

“Njerëzit që jetojnë në qytete janë shumë të ndërgjegjshëm për klimën,” shton ai. Kjo pjesërisht sepse banorët urbanë janë të parët që përballen me pasojat e ndotjes. Shumë qytete janë ndërtuar pranë porteve dhe rrezikohen nga detrat, niveli i të cilave po rritet.

Programi i BE për klimë neutrale bashkëpunon me qytetarët për t’ i bërë ata më të ndërgjegjshëm për përfitimet nga aksionet pro klimës. “Nuk mund të ketë projekt neutral ndaj klimës pa angazhimin e qytetarëve,” thotë Baldwin. Këtij ndërgjegjësimi iu shtua mbas luftës në Ukrainë edhe nevoja për pavarësi energjetike, që mund të arrihet shpejt si nëpërmjet rritjes së kapaciteteve për energjitë e renovueshme ashtu edhe nëpërmjet rritjes së eficiencës së ndërtesave.

“Komisioni Europian është duke parë të gjitha rrugët për të kaluar menjëherë nga përdorimi i hidrokarbureve ruse tek energjitë e renovueshme,” thotë Baldwin. “Dhe vendi më i mirë për të filluar është me qytetet, për shkak të dendësisë së popullsisë. Në qytete distancat e udhëtimit janë më të vogla, përdorimi i transportit publik është më i lehtë, mund të ecet, të lëvizet me bicikletë dhe me automjete elektrike.”

‘Qytetet mund të ecin më përpara dhe më shpejt’

Në nivel global qytetet janë duke shtuar ambiciet për tu kthyer në qytete neutrale ndaj klimës, në përputhje ose dhe më shumë se synimet e vendosura në Marrëveshjen e Parisit për dioksidin e karbonit.

30 qytete kanë arritur tashmë pikun e dioksidit të karbonit në vitin 2020, si pjesë e nismës C40 Cities, që synon të mbështesë mijëra qytete në kthimin deri në vitin 2050 në qytete që nuk prodhojnë dioksid karboni— mes tyre Athina, Austini, Barcelona, Berlini, New Yorku, San Francisko, Los Anxhelos, Stokolmi dhe Varshava.

Hyderabad Transport

“Furnizimi i qyteteve tona me energji të renovueshme është baza mbi të cilën ngrihet ekonomia e cila nuk prodhon dioksid karboni,” tha shtatorin e kaluar Eric Garcetti, kryetar i nismës C40 dhe Kryetar Bashkie i Los Angelosit. Los Angelosi që furnizohet që tani me 40 përqind energji të renovueshme, do të arrijë deri në vitin 2030 të furnizohet me 80 përqind energji të renovueshme. Një rrjet energjie i pastër 100 përqind synohet të ngrihet para 2035-ës, ndërkohë që shkëputja e plotë nga përdorimi i qymyrit, parashikon kalimin tek hidrogjeni. “Qytetet mund të ecin më përpara dhe më shpejt se sa kombi i tërë,” thotë Baldwin. “Unë ndiej se ne do ecim shumë më shpejt se sa mendojmë.”/DW

Top Channel