Përkeqësohet situata në Mariupol, kërkohet hapja e korridoreve të evakuimit

18/04/2022 16:52

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, i bëri thirrje Rusisë që të hapë një korridor evakuimi nga qyteti i rrethuar i Mariupolit.

Vereshchuk tha se po i bënte thirrje udhëheqjes ushtarake dhe politike të Rusisë në lidhje me përkeqësimin e situatës në Mariupol duke kërkuar hapjen e një korridori nga Mariupol në Berdiansk për civilët dhe një korridor urgjent nga fabrika e çelikut Azovstal për gratë, fëmijët dhe civilët e tjerë.

Sipas CNN, Vereshchuk shtoi se refuzimi rus për të hapur korridoret për evakuim “do të jetë bazë për të mbajtur të gjithë personat e përfshirë penalisht përgjegjës për krime lufte në të ardhmen”.

Zyrtarët ukrainas thanë se mbi 100,000 njerëz kanë nevojë për evakuim nga qyteti, i cili po përballet me sulme të vazhdueshme.

Guvernatori ushtarak i rajonit ka thënë se deri në 22,000 njerëz kanë vdekur në qytetin port që nga fillimi i luftës.

Top Channel